E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri përfshin malin e Tërbunit në Pukë, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve, flakët po izolohen me mjete rrethanore

Një zjarr ka përfshirë këtë të premte një zonë pyjore në malin e Tërbunit, në Pukë, duke u favorizuar nga erërat e forta.

Forcat zjarrfikëse dhe shërbimi pyjor kanë shkuar në vendngjarje, por terreni i vështirë dhe mungesa e rrugëve për automjetet e emergjencës po pengojnë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Aktualisht, efektivët e Pukës po përdorin mjete rrethanore për të frenuar dhe izoluar flakët në njërin prej fronteve të zjarrit.

Sipas informacioneve paraprake, flakët nuk paraqesin rrezik për banesat, stanet e bagëtive apo linjat e tensionit të lartë, pasi vatra ndodhet në një zonë pyjore.

Ndërkohë, dyshohet se zjarri, i cili ka nisur në zonën e Fushë-Lajës në malin e Tërbunit, mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Për zbardhjen e rrethanave është ngritur një grup hetimor, i cili po vijon punën në terren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›