Zjarri përfshin ullishtet në Lushnjë, dyshohet për shkëndijë elektrike

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar dëme në ullishte dhe sipërfaqe me shkurre në fshatin Sejmenas të Bashkisë Lushnjë. Për dy orë me radhë, zjarrfikësit, dhjetëra efektivë policie dhe vetë banorët e zonës kanë luftuar me flakët për të evituar përhapjen e tyre drejt banesave.
Falë ndërhyrjes së shpejtë, situata është vënë nën kontroll dhe aktualisht po monitorohen vatrat e fundit të zjarrit.
Grupi i punës i Policisë së Shtetit, bashkë me specialistë dhe policinë shkencore, po punojnë për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të ketë nisur nga një shkëndijë elektrike në rrjetin shpërndarës të fshatit.
/rtsh.al/