Zjarri te Gjykata e Lartë, Gogu: Kush i vë flakën një gjykate nuk godet qeverinë, por të drejtën e qytetarëve për drejtës

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi sot se “kush i vë zjarrin një gjykate, nuk godet qeverinë. Godet diçka që na përket të gjithëve. Të drejtën për drejtësi”.
Në një reagim në rrjetet sociale pas protestës së sotme ku flakët prekën Gjykatën e Lartë dhe Bankën e Shqipërisë, Gogu tha se “të dy institucionet janë të pavarura. Asnjëra nuk është zyrë e qeverisë. Të dyja institucionet i shërbejnë vendit dhe qytetarëve”.
“Edhe atyre që protestojnë. Edhe atyre që janë të zemëruar me qeverinë. Edhe atyre që ndihen të padëgjuar. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë. Përgjegjësitë individuale do t’i përcaktojnë organet kompetente, sipas ligjit. Falënderoj zjarrfikësit dhe të gjithë ata që ndërhynë sonte”, tha Gogu.
Ministri Gogu u shpreh se “jam në solidaritet me gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës së Lartë”.
“Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ndihmojë, brenda kompetencave të saj dhe në respekt të pavarësisë së gjyqësorit, që puna të vijojë. Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, tha Gogu.
/k.s/r.e/