Josa: “E kemi dominuar Vllazninë, por historia nuk vlen…”Trajneri Mirel Josa për Tirana-Vllaznia: Në vitet ’80 mbizotëronim ne, të shtunën mund të ndodhë gjithçka

Mirel Josa në prag të ndeshjes finale të këtij sezoni mes Tiranës dhe Vllaznisë ndalet të tregojë disa detaje që i kanë mbetur në mëndje për periudhën që ai e ka përjetuar këtë përballje si futbollist. Në vitet 80 Josa ka qenë një lojtar i Tiranës dhe kontributi për skuadrën bardheblu në atë periudhë ka qenë i madh. Ai tregon se rivaliteti me Vllazninë në atë periudhë nuk ka qenë mjaft i madh pasi ekipet që rivalizonin më tepër në luftën për titull kanë qenë Flamurtari, Partizani dhe Dinamo.
Në kohën kur ju keni luajtur si futbollist mbani mend ndonjë përballje si kjo që do të zhvillohet në 23 maj mes Tiranës dhe Vllaznisë?
Në atë kohë rivaliteti ka qenë më tepër i përqëndruar tek Flamurtari, Partizani apo Dinamo dhe me Vllazninë shumë pak kemi rivalizuar. Në ndeshjet që kemi luajtur përballë njëra-tjetrës në atë kohë Tirana ka qenë më superiore, pasi nuk mbaj mend që Vllaznia të ketë fituar ndonjë herë me ne në atë kohë. Një ndeshje e asaj periudhe që përafron me finalen e këtij sezoni është finalja e kupës në vitin 86’ ku kemi fituar me rezultatin 2-0.
Në kampionat dhe në përballjet direkte ka qenë Tirana ajo që ka triumfuar?
Në total, në përballjet që kemi zhvilluar me shkodranët në atë periudhë kemi qenë superiore pasi arrinim të fitonim në Tiranë dhe në Shkodër në shumicën e rasteve barazonim 2-2, 1-1 apo dhe kemi fituar. Në Tiranë unë nuk mbaj mend që Vllaznia të ketë fituar ndonjëherë përballë nesh duke përjashtuar rastin e vitit 87, ata janë kualifikuar në gjysëm finalen e kupës, pasi kishin fituar në Shkodër me rezultatin 2-0 dhe u mundën në Tiranë me rezultatin 1-0 me gol të Shkëlqim Muçës por sërish nuk mundëm të kualifikoheshim.
Cila ka qenë atmosfera dhe specifika e ndeshjeve në përballjet Tirana-Vllaznia në atë kohë?
Jo për tu treguar nostalgjik, por në përballjet mes Tiranës dhe Vllaznisë si në Shkodër dhe në Tiranë atmosfera ka qenë elektrizuese dhe zhvilloheshin ndeshje të bukura dhe emocionuese jo vetëm për ne që ishim në fushë por për të gjithë sportdashësit.
Për tu kthyer te 23 maji, dita kur do të vendoset fituesja e titullit kampion mes dy skuadrave që kanë rivalizuar me njëra tjetrën përgjatë gjithë sezonit. Kush mendon se është favorit për të fituar këtë takim?
Java e parafundit e kampionatit, ndryshoi jo pak gjëra edhe përsa i përket favorites apo se kush ka më shumë gjasa që të fitojë titullin kampion. Fitorja e Tiranës përball Dinamos dhe barazimi i Vllaznisë me Lushnjen bëri që të ndryshonte tabela e klasifikimit dhe Vllaznia të zbriste në –1 pikë çka tani ja vështirëson deri diku punën. Përballë Lushnjes, shkodranët kishin një kundërshtar të motivuar shumë dhe që kishte nevojë për pikë. Vllaznia besoj se pas atij hapi fals ka një gjëndje psikologjike më të rënduar.
Kjo e bën Tiranën më favorite për të fituar titullin?
Deri diku po, por futbolli është një lojë ku është vështirë të bësh parashikime. Unë Tiranës dua ti rikujtoj finalen e kupës së vitit të kaluar ku të gjithë mendonim se ata do të fitonin por në fund ndodhi e kundërta dhe Vllaznia fitoi kupën. Dua ta nënvizoj faktin që Tirana të ketë në mëndje finalen e kupës në vitin e kaluar në të gjitha aspektet…
Tiranës i mjafton barazimi për të fituar titullin. Mos ka Josa një recetë fikse për tja ofruar bardhebluve që ti shërbejë për këtë 90 minutësh vendimtar për sezonin?
Nuk më takon mua ta bëj këtë pasi Tirana ka drejtues dhe trajner që mendojnë për atë punë. Unë thjesht sygjeroj që ata, të shtunën mos të futen në fushën e lojës duke menduar për ta nxjerrë ndeshjen barazim. Nëse nuk do të arrijnë të shënojnë dhe takimi do të shkojë drejt barazimit e parashikoj mjaft të vështirë për Tiranën 20 minutëshin e fundit ku Vllaznia do të kërkojë me ngulm të shënojë një gol që mund të jetë i barabartë me titullin. Futbolli, e përsëris, në shumë raste të ofron supriza jo të bukura dhe për këtë Tiranës i duhet të bëjë kujdes dhe nëse do të fitojë titullin i duhet ta zgjidhë dhe të marrë vetë në dorë frenat e lojës.
Të dyja skuadrat kanë lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar në përbërje, mendon se kualitetet mund të bëjnë diferencën përgjatë 90 minutëshit?
Tirana dhe Vllaznia kanë në përbërje lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Tirana ka Memellin që është golashënuesi i kampionatit por në krahun tjetër është Sinani që di të shënojë në momente deçizive dhe nuk i mungon nuhatja para portës. Mbrojtjet e dy ekipeve kanë elementët më të mirë dhe veç kësaj, një tjetër fakt interesant është që të dyja skuadrat kanë lojtarë që janë shpallur kampion dhe kanë mentalitetin e fituesit. Lici apo Beqiri futbollist me eksperiencë te Vllaznia dhe Dabulla, Devolli apo dhe Pezo, lojtarë të afirmuar e që janë mjaft cilësorë. E mendoj të fortë këtë përballje dhe nuk mund të parashikoj dot fituesin e kësaj sfide.
Cili është avantazhi i Tiranës përball Vllaznisë dhe i Vllaznisë përballë Tiranës në këtë takim?
Tirana është e avantazhuar për faktin se shkodranët janë të rënë psikologjikisht por kjo mund të kthehet edhe në disavantazh nëse do ta mendojnë të fituar këtë takim. Nuk duhet të harrojnë finalen e kupës në vitin e kaluar ku përball kishin Vllazninë. Avantazhi i Vllaznisë është se do të luajë vetëm për të fituar dhe nuk mund të bëjë llogari. Besoj se të dyja skuadrat kanë shanse të barabarta pasi do të luhen 90 minuta futboll.
E Premte, 22 Maj 2009