Zënka shtynë votimet e PDK-së në Drenas

Në fshatin Gllobar votimet nuk janë kryer të dielën. Zyrtarët e PDK-së në degën e Drenasit thonë se nuk kishte hapësirë të mjaftueshme dhe fletëvotime për numrin e papritur të madh të pjesëmarrësve. Kryetari Nexhat Demaku kritikon hapur edhe votimet në fshatin Tërstenik pasi, sipas tij, ishin mbajtur në odën e delegatit tashmë të përzgjedhur.
Një zënkë mes dy pjesëmarrësve në lidhje me kandidimin për kuvendin e degës së PDK-së në Drenas, të dielën, nuk rezultoi në ndonjë konflikt në sallë por bëri që zgjedhjet në seksionin e Gllobarit të shtyhen për të martën.
Rreth 200 pjesëmarrës ishin mbledhur në objektin e shkollës fillore “Naim Frashëri” për të përzgjedhur 2 delegatë.
Një dëshmitar i rastit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, i tha Gazetës Jeta në Kosovë të hënën se fillimisht një person kishte ngritur zërin dhe më pas aty ishte krijuar një tollovi. Si pasojë, votimet ishin shtyrë.
Gazeta ka pranuar edhe letra nga lexuesit që e kanë lajmëruar këtë rast.
Drejtuesit e degës së PDK-së nuk e kanë konfirmuar këtë zënkë dhe thanë se shtyrja është bërë për shkak të “pamundësive teknike dhe hapësirës jo të mjaftueshme për t’i mbajtur këto zgjedhje”.
“Nuk kemi printer e as fletëvotime të mjaftueshme, prandaj edhe jemi detyruar t’i shtyjmë zgjedhjet”, i tha gazetës udhëheqësi aktual i seksionit të Gllobarit, Shaqir Elshani. Ai shtoi se nuk ishin pritur kaq shumë delegatë në këtë seksion.
Edhe kryetari i degës së Drenasit, Nexhat Demaku, tha se është i informuar për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve. “E vetmja arsye është numri i madh i pjesëmarrësve”, tha Demaku, raporton JNK.
Demaku shtoi se zgjedhjet janë shtyrë edhe në seksionet tjera, Drenasi 3 dhe Gllanasella.
Kryetari i degës Demaku tha se në seksionin e Tërstenik-ut po ashtu ka pasur parregullsi. “Zgjedhjet në këtë fshat janë mbajtur në odën e tashmë të përzgjedhurit si delegat nga ky seksion”, tha ai.
Demaku tha se do të shqyrtohet mundësia e rishikimit të procesit zgjedhor në këtë fshat.
Mirëpo, Naim Bazaj, kryesues aktual i kuvendit komunal të Drenasit dhe i përzgjedhur delegat nga Tërsteniku, thotë se zgjedhjet janë mbajtur në objektin e shkollës “Dëshmorët e Qëndresës II”.
“Kryetari i degës nuk mund t’i kontestoj zgjedhjet këtu, sepse janë mbajtur në rregull. Motivimi i tij vjen nga shkaku se ai ka pasur në garë dy dajë të tij, njëri prej të cilëve nuk ka humbur. Ai (Demaku) reagon kurdo që humb”, tha Bazaj.
Ky seksion ka përzgjedhur katër degelatë për kongresin e degës së PDK-së në Drenas në votimet e 15 nëntorit ku, sipas Bajzajt, kishin marrë pjesë rreth 300 persona.
“Populli në Drenas është dukshëm i interesuar për ta ndërruar udhëheqjen”, tha Bazaj.
Javën e kaluar gazeta ka raportuar për kritikën e anëtarit të kryesisë së kësaj dege, Shemsi Elezaj, për dërgimin e rreth 40 delegatëve të paracaktuar në kuvend - duke përfshirë anëtarët e kryesisë së degës, të rinisë dhe të gruas demokratike - si dhe mbajtjen e votimeve në një fshat përpara datë së paraparë./Indeksonline/