Zogaj: Po sundohemi nga lidhja e klaneve dhe tarafeve
Preç Zogaj, vjen kësaj here me një përmbledhje të eseve të mëparshme politike ne librin më të ri "Intuicionet e tranzicionit". Protagonist i ngjarjeve të këtyre dy dekadave në vend, Zogaj flet për raportin e politikës me institucionet.
TIRANË- Libri i fundit i politikanit Preç Zogaj, "Intuicionet e tranzicionit", është një përmbledhje në dy volume, e eseve të tij politike të shkruara dhe botuara ndër vite. Në intervistën e tij për gazetën "Shekulli", Zogaj sqaron se ndryshimet që janë bërë në librin e ri janë fare pak, pa prekur në asnjë rast raportin e ngjarjeve me kohën kur kanë ndodhur. Në librin me dy volume, Zogaj shprehet se e gjithë galeria e tranzicionit parakalon me shenjën e ngjarjeve apo veprimeve të politikanëve më të rëndësishëm. Për pasojë, në vlerësimin e tij si publicist, shkrimtar, politikan dhe protagonist i ngjarjeve të këtyre dy dekadave në vend, Zogaj i jep përgjigje edhe disa pikëpyetjeve, që lidhen me ndërtimin e institucioneve në vend.
Zoti Zogaj, ju keni gati librin tuaj më të fundit, "Intuicionet e tranzicionit". Çfarë është ky botim? Çfarë harku kohor përfshin?
"Intuicionet e tranzicionit" është një përmbledhje në dy volume e eseve të mia politike të shkruara dhe të botuara nëpër vite. Ishte një ide e mikut tim Henri Çili, që u mirëprit nga kolegët e tij të shtëpisë botuese të Universitetit Europian të Tiranës. Vëllimi i parë përfshin librat: "Rënia e zgjedhjeve", botuar mars të vitit 1997, "Vera e përjetshme", botuar në vjeshtën e vitit 1997, "Lufta jocivile", botuar në vitin 1999 dhe "Paradhoma e një presidenti" botuar në vitin 2001. Volumi i dytë, që është në fazën e përgatitjes, do të përfshijë librat "Nga hiri", botuar në vitin 2003, "Finalja", botuar në vitin 2005 dhe një libër të ri, që kam nisur ta shkruaj në shtator të këtij viti dhe po e çoj drejt përfundimit. Titulli përmbledhës "Intuicionet e tranzicionit", është përzgjedhur nga shtëpia botuese. Disa nga pedagogët dhe studiuesit e rinj të UT-së, të diplomuar dhe doktoruar në Universitetet e ndryshme të Perëndimit, janë njohur për nevojat e punës së tyre me librat e mi dhe kanë konstatuar se përqasjet, trajtesat, analizat dhe parashikimet e mia të shprehura me shkrim pothuajse në kohë reale me ngjarjet, përkojnë me njohuritë që ata kanë fituar në shkollat që kanë kryer, dhe reflektojnë, qoftë edhe intuitivisht, teoritë e përpunuara përgjatë kohës në katedra. Ja pse është përzgjedhur ky titull.
Brezi i gazetarëve të dekadës së parë të tranzicionit, i ka pasur pjesë të formimit të vet këto libra, jo vetëm për ngjarjet por edhe për stilin e të shkruarit. Në kohën kur janë shkruar ato lexoheshin si publicistikë. A mendoni se mund të lexohen tani dhe në të ardhmen si histori?
Vërtetë i kam shkruar si publicistikë, dhe ky ka qenë edhe justifikimi im i brendshëm përsa i përket të shkruarit në "të nxehtë", pa u lënë kohë ngjarjeve të ftohen. Në thelb, këto janë ese. Por në vetmi, gjithnjë kam menduar se këto libra janë edhe romane me personazhe dhe ngjarje reale. Madje, "Vera e përjetshme" është një gërshetim i kronikës me fiksionin. Në secilin prej librave, ka një bosht rreth të cilit mbështillen ngjarjet dhe personazhet e periudhës. Boshti në fjalë është karakteristika apo e vërteta e periudhës, sipas meje. Por nga ana tjetër, unë kam pasur dhe kam vetëdijen, se kam shkruar edhe histori. Librin "Rënia e zgjedhjeve" e kam shkruar në vjeshtën e vitin 1996. Kur po e përgatisja për "Intuicionet..." mund t'ju them se e lexova si histori. Kushdo që do të shkruajë në të ardhmen për tranzicionin, do të gjejë në librat e mi, nëse do ti shfrytëzojë si burime, një tërësi faktesh, që u shënuan siç i kishte bërë nëna.
A keni bërë ndryshime në librat e ribotuar?
Ndryshime në kuptimin e rishikimit të tekstit kam bërë fare pak, pa prekur në asnjë rast raportin e ngjarjeve me kohën kur kanë ndodhur. Por kam bërë shkurtime, sidomos në pjesën e komenteve, persiatjeve. Këto shkurtime janë bërë në radhë të parë me qëllim që libri përmbledhës të mos dilte shumë i madh.
Si vijnë në këtë libër personazhet kryesore të politikes 20 vjeçare të tranzicionit në Shqipëri, Berisha, Rama, Nano, etj?
Berisha dhe Nano janë personazhe të kudogjendur në librat e vëllimit të parë. Rama spikat më vonë, në vëllimin e dytë. Por e gjithë galeria e tranzicionit parakalon në këto libra me shenjën e ngjarjeve apo veprimeve, që kanë shënuar protagonizmin e secilit: Meidani, Pëllumbi, Pashko, Majko, Dokle, Ngjela, Imami, Pëshkepia, Shahin Kadare, Selami, Gjinushi, Demeti, Islami, Meta, Legisi, Godo, të ndjerët Pjetër Arbnori, Vasil Melo dhe Teodor Keko, Mustafaj, Milo, krerët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit e të tjerë e të tjerë. Për ta dalluar, lashë për në fund personazhin me të veçantë të katër librave të mi të parë, zotin Neritan Ceka, atë që në vitet e para të tranzicionit evokonte figurën epike të një senatori të gjithkohshëm, pa togë. Pastaj janë gazetarët dhe intelektualët e tranzicionit, të gjithë pa përjashtim, me emër dhe mbiemër, sigurisht.
Më kujtohet se në librin "Vera e përjetshme", duke reflektuar mbi një humbje të thellë të një skuadre shqiptare futbolli me një skuadër kroate, ju propozoni atë që e quani Vetpezullim i Shqipërisë nga çdo kompeticion ndërkombëtar. A vazhdoni ta propozoni Vetpezullimin...?
Vetpezullimi, tërheqja nga çdo kompeticion ndërkombëtar, ka qenë një klithmë dëshpërimi përkundrejt mendlehtësisë. Duhet lexuar libri, sepse atje është shtjelluar gjerë konteksti; Me dy fjalë dua të them se ne që nuk zbatojmë asnjë rregull loje në vendin tonë, ne që shkelim pa të keq ligjet që duhet të rregullojnë jetën tonë, nuk mund të fitojmë asnjë garë atje ku rregullat dhe ligjet zbatohen. Prandaj kam propozuar Vetpezullimin, si një formë ndëshkimi, por edhe shmangie nga situatat që na bëjnë me turp. Kuptohet, kjo është një formë e nxjerrjes në pah të një shqetësimi, nuk është propozim i vërtetë.
Ne vlerësimin tuaj, si publicist, shkrimtar, politikan dhe protagonist i ngjarjeve të këtyre dy dekadave në vend, a kemi ndërtuar institucione të vërteta, demokratike, të pavarura, apo politika nuk i ka lënë rehat?
Sa herë që një interes i caktuar i pushtetmbajtësve të radhës përballet me ligjin, në kuptimin " ose interesi, ose ligji" , fiton interesi, ligji shkelet. Një shembull i freskët, skandaloz, që ka mbjellë një sherr të madh në Shqipëri, është asgjësimi i neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në kutitë ku kërkohet. Ligji vazhdon të jetë vulnerabël në Shqipëri në gjithë piramidën shtetërore. Nuk sundon ligji, por lidhja e interesave, e klaneve, e tarafeve. Kjo e bën të paqëndrueshme çdo gjë.
Cili është ai institucion i rëndësishëm, që politikanët nuk e kanë lënë të quhet institucion gjatë këtij tranzicioni?
Pa dyshim, është institucioni i zgjedhjeve. Unë jam marrë gjatë me këtë temë në librat e mi. Kemi përmirësuar disa gjëra në rrugën drejt kutisë, domethënë kemi krasitur disa tundime dhe marifete për t'i prishur zgjedhjet pa mbërritur tek kutia, por tek kutia zgjedhjet "tërbohen" njëlloj si më parë, nuk e durojnë maskën evropiane, e flakin maskën evropiane dhe vijojnë allashqiptarçe me hedhje fletësh, me shtim numrash në procesverbale e kështu me radhë. Ne e pamë se edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, PD-ja dhe PS-ja arritën dorë për dorë deri te kutia. Aty u prishën.
Sa fajtore është kjo klasë politike për zgjedhjet dhe institucionin e paqëndrueshëm të ligjit, siç shpreheni ju?
Njëqind për qind fajtore. Ka një teori që kërkon ta shpjegojë prishjen e zgjedhjeve apo zhvlerësimin e ligjit, me prapambetjen dhe traditën e shoqërisë shqiptare. Unë, si çdokush tjetër që merret me këto çështje, i njoh përgjegjësitë e qytetarëve. Por, kam besuar dhe besoj te një elitë e iluminuar, që mund ta udhëheqë e duhet ta udhëheqë shoqërinë drejt shtetit ligjor. Udhëheqësit nuk dalin në krye për të zbritur në nivelin e zgjedhësve, por për tu ngritur bashkë me ta në nivelin e shoqërive të përparuara demokratike.
A besoni se do të ketë zgjidhje, ndërkohë që PS-ja vijon bojkotin dhe nga PD-ja nuk duken shenja për zgjidhjen e krizës?
Besoj. Prandaj kam mbështetur dhe mbështes kërkesën e PS-së dhe opozitës mbarë për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, nëpërmjet hapjes së kutive. Partisë Socialiste i ra barra dhe shansi të shtronte për zgjidhje përfundimtare problemin e zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo është pika ku historia jonë do të marrë shtytjen e madhe drejt Evropës. Standardi i kutive të hapura është alfa dhe omega e çështjes. Këto janë çështje, që zakonisht i shtron opozita. Shtrohet pyetja: Çfarë garancish do të kishim për zgjedhjet e ardhshme po ta linte edhe PS-ja, edhe Rama? Ky është misioni i opozitës. Shumica ka si detyrë parësore qeverisjen, por ndërkaq nuk duhet të vonohet, ca me shumë të bëjë veshin të shurdhër ndaj misionit të përbashkët në lidhje me zgjedhjet.
Ditë më parë, si në mbarë Evropën, edhe në Shqipëri u përkujtua 20 vjetori i rënies së Murrit të Berlinit. Cilat "mure" kanë mbetur ende në këmbë për shqiptarët sot pas 20 vjetësh, që politika dhe qeveritë nuk kanë mundur t'i shembin dot?
Me një shikim të shpejtë, do të thosha se nga " muret" e vjetra, kanë mbetur ende në këmbë, pavarësisht ndryshimeve që kanë pësuar në kohë, muret e autoritarizmit, të arbitraritetit dhe etatizmit. Shteti i tepërt është kudo, në sektorin publik dhe privat. Është si autoritet, jo si ligj. Etatizmi u merr frymën lirive. Por kemi edhe "muret" e rinj të korrupsionit, të nepotizmit, të një pabarazie që do të përligjej në xhungël, por nuk përligjet në shoqërinë e shanseve të barabarta.
Intervistoi: Nevila Perndoj
Vetpezullimi
Me dy fjalë dua të them se ne që nuk zbatojmë asnjë rregull loje në vendin tonë, ne që shkelim pa të keq ligjet që duhet të rregullojnë jetën tonë nuk mund të fitojmë asnjë garë atje ku rregullat dhe ligjet zbatohen. Prandaj kam propozuar Vetpezullimin, si një formë ndëshkimi, por edhe shmangie nga situatat që na bëjnë me turp. Kuptohet, kjo është një formë e nxjerrjes në pah të një shqetësimi, nuk është propozim i vërtetë.
Politika dhe institucionet
Sa herë që një interes i caktuar i pushtetmbajtësve të radhës përballet me ligjin, në kuptimin " ose interesi, ose ligji" , fiton interesi, ligji shkelet. Një shembull i freskët, skandaloz, që ka mbjellë një sherr të madh në Shqipëri, është asgjësimi i neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në kutitë ku kërkohet. Ligji vazhdon të jetë vulnerabël në Shqipëri në gjithë piramidën shtetërore. Nuk sundon ligji, por lidhja e interesave, e klaneve, e tarafeve. Kjo e bën të paqëndrueshme çdo gjë.
Kush nuk është institucion
Pa dyshim është institucioni i zgjedhjeve. Unë jam marrë gjatë me këtë temë në librat e mi. Kemi përmirësuar disa gjëra në rrugën drejt kutisë, domethënë kemi krasitur disa tundime dhe marifete për t'i prishur zgjedhjet pa mbërritur tek kutia, por tek kutia zgjedhjet "tërbohen" njëlloj si më parë, nuk e durojnë maskën evropiane, e flakin maskën evropiane dhe vijojnë allashqiptarçe, me hedhje fletësh, me shtim numrash në procesverbale e kështu me radhë. Ne e pamë se edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, PD-ja dhe PS-ja arritën dorë për dorë deri te kutia. Aty u prishën.
Muret
Me një shikim të shpejtë, do të thosha se nga " muret" e vjetra, kanë mbetur ende në këmbë, pavarësisht ndryshimeve që kanë pësuar në kohë, muret e autoritarizmit, të arbitraritetit dhe etatizmit. Shteti i tepërt është kudo, në sektorin publik dhe privat. Është si autoritet, jo si ligj. Etatizmi u merr frymën lirive. Por kemi edhe "muret" e rinj të korrupsionit, të nepotizmit, të një pabarazie që do të përligjej në xhungël, por nuk përligjet në shoqërinë e shanseve të barabarta.