Zogaj, mes natyrës dhe qetësisë. Investimet në infrastrukturë rrisin fluksin e vizitorëve

Pika turistike e Zogajve, rreth 13 kilometra larg Shkodrës, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për pushuesit vendas dhe të huaj. E vendosur buzë liqenit të Shkodrës, kjo zonë ofron qetësi, relaks dhe një panoramë mbresëlënëse natyrore.
Ndërtimi i rrugës, që tashmë është drejt përfundimit, ka lehtësuar ndjeshëm aksesin dhe ka rritur ndjeshëm fluksin e vizitorëve. Turistët e huaj shprehen të mahnitur nga bukuria e zonës, mikpritja e banorëve dhe ushqimi tradicional.
“Jemi këtu për herë të dytë. Herën e parë erdhëm për punë, ndërsa këtë herë për pushim. Kemi vetëm një ditë në dispozicion, ndaj sot po shëtisim rreth liqenit dhe pasdite do të shkojmë në bregdet. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe natyra është vërtet shumë e bukur.
Jemi nga Belgjika dhe është hera e parë në Shqipëri. Liqeni është shumë i bukur dhe moti është i nxehtë tani. Na pëlqejnë njerëzit dhe ushqimi. Po shohim përreth. Do të qëndrojmë tre net këtu dhe pastaj do të shkojmë në Berat.
Rreth e rrotull është shumë bukur, moti është i shkëlqyer, kështu që jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Njerëzit janë të sjellshëm dhe natyra është e paprekur”, u shprehën disa nga turistët e huaj.
Banorët e zonës shohin rritjen e interesit si një mundësi të mirë për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, ndërsa Zogaj po konsolidohet si një nga pikat më tërheqëse turistike pranë Shkodrës.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/