Kosovë, mundësia e fundit për zgjedhjen e presidentit ose vendi kalon në zgjedhje. LDK nuk përjashton Vjosa Osmanin si kandidate

Kuvendi i Kosovës pritet të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pas dështimit të raundit të parë, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, Kuvendi do të shpërndahet dhe brenda 45 ditësh vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Në votimin e parë morën pjesë 64 deputetë. Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk siguroi asnjë votë. Opozita nuk mori pjesë në proces, duke e cilësuar atë si antikushtetues.
Kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se nominimet u bënë për të shmangur zgjedhje të reja dhe se seanca kishte kuorum për nisje. Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e quajti zhvillimet “puç kushtetues”, duke insistuar se Kushtetuta kërkon prezencën e 80 deputetëve për votim.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi natën si “të rëndë për demokracinë”, duke theksuar se presidenti duhet zgjedhur përmes marrëveshjes politike. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e quajti seancën “sulm ndaj Kushtetutës” dhe “tentim për grusht-shtet”.
Një ditë më parë kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shpalosi listën me 15 votat e deputetëve për, siç tha ai, kandidatin për president të propozuar nga LDK, duke mos e përjashtuar as mundësinë që votat të shkonin për Vjosa Osmanin.
“Ja ku janë 15 nënshkrime të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe besoj që kjo ishte dashur ta përmbyllë gjithë debatin politik në Kosovë. 15 nënshkrime të LDK-së, për kandidatin e propozuar të LDK-së, por unë këto nënshkrime nuk kam dashur t’i bëj pjesë të lojërave politike, sepse janë serioze”, tha ai.
/rtsh.al/