E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj në “Trialog”: Protesta e PD-së rutinë, Berisha e di që rrezikon shumë nëse kalon “vijën e kuqe”

Skenat me molotovë dhe gaz lotsjellës në protestat e fundit të opozitës janë analizuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Trialog” në RTSH, drejtuar nga Alba Alishani. Analisti Preç Zogaj i cilësoi tubimet si një “rutinë politike”, ku mungon masiviteti qytetar dhe dominon karikimi i militantëve.

“Vija e kuqe” dhe rreziku i izolimit

Sipas Zogajt, Sali Berisha po luan një lojë të dyfishtë, rrit tensionin për të motivuar bazën, por frenon në momentin e fundit për të mos kaluar kufijtë e pakthyeshëm.

“Berisha është i vetëdijshëm që kjo protestë politike nuk mund t’i kalojë ca kufij. Ai rrezikon që PD të shpallet organizatë e dhunshme, deri edhe terroriste,” paralajmëroi Zogaj.

Analisti kujtoi se paralajmërime të ngjashme ndërkombëtare i janë dhënë PD-së edhe në vitin 2019, pas djegies së mandateve.

“Ai e di mirë se po kaloi vijën e kuqe, gjithçka i kthehet në bumerang,” shtoi ai.

Zogaj e cilësoi si të paimagjinueshme idenë që një parti parlamentare në një vend të NATO-s të tentojë marrjen e pushtetit duke sulmuar ndërtesat qeveritare.

“Pushteti nuk është marrja e godinave dhe e ndërtesave,” theksoi ai, duke shtuar se pjesëmarrja aktuale është larg asaj që kërkohet për një revoltë popullore.

Sipas tij, ndonëse ka pakënaqësi ndaj qeverisë, qytetarët e thjeshtë refuzojnë t’i bashkohen protestave me agjendë politike partiake.

Duke u ndalur te protesta e paralajmëruar për më 20 Shkurt, datë që përkon me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në vitin 1991, Zogaj bëri një krahasim historik.

“Me 20 shkurt, kur do të bëjë protestën e radhës duke iu referuar ’91-shit, duhet kujtuar se Berisha atëherë ka qenë në zyrë, ndërsa në shesh ishin qytetarët,” përfundoi analisti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›