Zoti Rama, publiko testin e drogës dhe kartelën e shëndetit mendor
Kryetari i opozitës foli dje për standardin e testimit të kandidatëve për kryeministër, lidhur me shëndetin e tyre mendor. Është një vëzhgim shumë i drejtë, paçka se i çuditshëm për një politikan, i cili përflitet nga analistë e politikanë si me narko-probleme dhe si klient i disa klinikave të specializuara. Edi Rama duhet të publikojë testin e drogës dhe kartelën e shëndetit mendor, si një provë e kapaciteteve të tij për t’u kërkuar votën shqiptarëve
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi ditën e djeshme në Durrës se të dhënat e punësimit të qeverisë Berisha janë të padukshme dhe kërkoi kontrollin mjeko-ligjor për të gjithë ata që mbështesin rritjen e të punësuarve në 4 vitet e fundit. Edi Rama në dehje e sipër nga aleanca e re e ka trashur gjuhën duke propozuar kontrolle mendore për kundërshtarët. Sigurisht ai harron sfidat publike të lëshuara nga analistë dhe deputetë për të dhënë qofte dhe një fije floku apo bërë narkotestin për të parë nëse është i pastër dhe jo i varur nga kokaina.
Ka disa vite që Edi Rama refuzon t’i përgjigjes kësaj sfide publike. Dhe jo se nuk ka flokë, por nuk ka garanci se është i pastër kimikisht. Edhe manovrat e tij për të “dhuruar gjak” apo “bërë serum në spitale” gjoja për të dhënë idenë se është i pastër është pjesë e një skafandre mbrojtëse. Mjekësia e hedh poshtë këtë gjysmë të vërtete sepse një përdorues droge, nuk ka asnjë ‘shenjë’ në gjak, tre ditë pas përdorimit të drogës, që të mund ta identifikojë atë si “vasal” të lëndëve narkotike.
Për të zbuluar nëse një njeri është përdorues apo-jo droge ka dy mënyra shkencore, analiza e urinës ose kampioni i marrë nga një fije floku pasi aty depozitohen substancat përbërëse të lëndës narkotike.
Kësisoj akuzat publike se është parë të konsumojë kokainë qëndrojnë derisa prova laboratorike të japë të vërtetën. Padyshim dhe luhatjet emocionale të kreut të opozitës Edi Rama janë të njohura. Në internet dhe në “you tube” ka kolazhe të tëra videosh të bëmave të tij.
Nuk janë vetëm grushtet mbi tavolinë apo zanoret e gjata të llojit “o doktoooooor!”, por edhe ekspeditat populiste me sëpatë në dorë. Edi Rama ka dhënë shenja të një paqëndrueshmërie psikologjike pas ngjarjeve me impakt të madh publik.
Pas çdo humbje traumatike Rama bën terapi me krijimin e alibive shfajësuese, përhapjen dyshime ndërsa për të qetësuar njerëzit më të afërt u thotë së dëgjon zërat nga lart për fitore të reja. Por psikiatrët shpjegojnë se dëgjimi i “zërave” është një simptomë vendimtare në diagnostifikimin e sëmundjes së skizofrenisë (studimi i Shnajder, 1959), ndërkohë që konfirmojnë se 77 për qind e personave që “dëgjojnë zëra”, kanë kaluar së fundmi përvoja traumatike.
Kuptohet vetiu njeriu që dëgjon “zëra nga lart”, afërmendsh nuk ka një lidhje të mirëfilltë me realitetin, ai ka një botë paralele e afërmendsh ai s’ka as vullnet e as mundësi të dëgjojë zërat kritikë që vijnë brenda Partisë Socialiste apo nga opinioni publik. Edi Rama nuk e vë ujin në zjarr as për kritikat brenda PS që kanë lidhje me prurjet e reja pa lidhje me kontributet në opozitë, ndërsa e njëjta gjë është kritikat publike në rrjetet sociale për aleancën amorale.
Me logjikën çudia më e madhe zgjat tre ditë, Edi Rama na kërkon të heqim nga mendja të gjithë akuzat apo përbuzjet e tij sepse ajo që ka rëndësi është fitorja e 23 qershorit.
Sidoqoftë pretendenti për kryeministër Edi Rama përpara se të ftojë për kontroll logjik kundërshtarët duhet të mendojë për gjendjen psiko-somatike të tij. Edhe kur të jetë i sigurt dhe të shfaqë kartelën e shëndetit mendor apo narkotestin, atij do t’i duhet të paraqesë edhe faturat e pallatit të bashkëshortes apo aktin noterial të huas 100 milionëshe.
Edi Rama ka disa vite që ka vënë një maskë të gënjeshtërt me të cilën një herë shfaqet i varfër, një herë i martuar, një herë familjar dhe së fundmi në rregull nga mendtë. Të gjithë këto gënjeshtra janë funksion të logjikës “më bëni 30 sekonda kryeministër pa do më shikoni mua!”.