E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dërguari i radikalëve në Pallatin e Qelqtë

14-04-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Çfarë sfide megalomanësh e radikalëve serbë - jo nga Beogradi, por  m’u në Pallatin e Qelqtë të OKB, - jo  në vitin 1999, por më 10 prill 2012! Serbia ishte tharmi, zhvilluesja dhe organizuesja e debatit me temë “Roli i drejtësisë Penale Ndërkombëtare për  Pajtim”, nëpërmjet të dërguarit të vet Vuk Jeremiç, i zgjedhur president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vuk Jeremiç ftoi në debat presidentin Tomisllav  Nikoliç, të cilit ia krijoi të gjitha rrethanat e duhura, që të thosh ku desh, çfarë desh e sa desh,  kundër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Aleanca e Atlantikut të Veriut - NATO, për sulmin ushtarak që ndërmori kundër Jugosllavisë, dhe Tribunali i Hagës, për vendimet ndaj pavarësisë së Kosovës dhe kriminelëve serbë të luftës, në Serbi shihen si dy armiq. Prandaj, Vuk Jeremiç, ish-ministër i jashtëm i Serbisë gjatë presidencës së Boris Tadiç, një shëtitës me nam botëror kundër Kosovës dhe formulues deklaratash agresive kundër pavarësisë, i përuruar vjeshtën e shkuar president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, s’duhet të ketë pasur qëllim më të lartë, gjatë mandatit të tij njëvjeçar, se sa sfida  që sapo u ndërmor, për  t’i bërë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë një gjyq të hapur, dhe ku? M’u në OKB! Duhet kujtuar, gjithashtu, që, pasi Jeremiç pati marrë votat e mjaftueshme për të drejtuar Asamblenë e Përgjithshme, dhe pak para se të ulej në atë karrige, ndaj mundësisë së shprehur për një ndenjëse për Kosovën në OKB, ai deklaroi si një radikal serb, dhe pa kurrfarë droje që, ajo mund të ndodhte vetëm “duke kaluar mbi trupin tim”. Ky politikan serb, të cilit i kanë vënë në pah moshën e re, anglishten e mirë dhe krehjen me xhel, me kaq sa bëri  për debatin e organizuar në Pallatin e Qelqtë, i ka siguruar vetës rrugë të hapur në karrierë në Beograd, pas largimit nga Nju Jorku. Vuk Jeremiç, president i Asamblesë së  Përgjithshme, i rezervoi presidentit serb Tomisllav Nikoliç një kohë për plot prej 45 minutash, për fjalimin e tij kundër Tribunalit të Hagës, dhe qëllim i përbashkët ishte: e para, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ta tregonin si mace të zezë të drejtësisë botërore; e dyta, të denigronin çfarë ka bërë Tribunali i Hagës dhe trashgiminë e tij; e treta, të vinin në pikëpyetje vendimet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka marrë kundër kriminelëve serbë dhe në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.
Ajo çfarë të habit është paligjshmëria - siç u cilësua kjo veprimtari - e cila nuk ndodhi diku në viset e Serbisë apo në rrethina të Beogradit, por m’u në zemër të selisë së Kombeve të Bashkuar. Për të, u tha se, ajo ishte një veprimtari e organizuar në fshehtësi (si?!), pa transparencë (si?!), me listë të të ftuarve të paditur deri ditën e fundit (si?!), a thua se do të ishte një mbledhje e zakonshme e qeverisë serbe në Beograd?! Veprimtarë të organizatës  “Nënat e Srebrenicës” u shporrën nga salla prej rojave të OKB-së, sepse mbanin një tabelë- parrullë, e për ta lënë  të  qetë debatin dhe vet Tomisllav Nikoliç, të fliste siç foli - s’ka më zi, madje, në dy seminaret e pasdites, sulmi kundër Gjykatës së Hagës qe deri edhe entuziast, ndërsa zërin e viktimave e ngulfatën me përjashtim skandaloz nga debati!
Pamja tjetër  e debatit, në Asamblenë e Përgjithshme, qe bojkoti i shumë vendeve, që nga SHBA e fuqishme, që deklaroi mospjesëmarrjen, kurse Philip Reeker, zëvendësi i  ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, fjalimin e presidentit serb Tomisllav Nikoliç e cilësoi “negativ, i çekuilibruar dhe nxitës”; dhe deri te Lihtenshtejni i vockël, përfaqësuesi i të cilit pati kurajë të kritikonte Vukun me emër, duke thënë që, “Jeremiç po shfrytëzon pozitën e tij për të realizuar objektivat politike”. Me bojkotin në dështim të debatit, ishte bashkuar edhe vet presidenti i Gjykatës së Krimeve të Luftës në Ish-Jugosllavi, Theodor Meron, i cili qysh më herët, deklaroi nga Brookings Institution në Uashington se, Jeremiç e ka thirrur debatin si “një reagim ndaj disa vendimeve gjyqësore të Gjykatës në Hagë” dhe se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”.
Por, vështirë të  besohet që, spektakli politiko-diplomatik serb, i zhvilluar në të njëjtën ditë, që nga Nju Jorku deri në Moskë, ishte një rastësi përkimesh kohore. Një ditë më parë, kryeministri serb Ivica Daçiç, i pati bërë sfidë të drejtpërdrejt Brukselit, duke mos pranuar të nënshkruante marrëveshjen me Kosovën, për zgjidhjen e  çështjes  së veriut të Mitrovicës dhe, një ditë më pas, ose po atë ditë që në OKB nisi debati me qitje kundër Tribunalit të Hagës, Daçiç shkoi në Moskë, ku  kreu takime me presidentin Vladimir Putin, kryeministrin Dmitri Medvedev, dhe mori me vete mbështetjen se, Rusia e di sa i rëndësishëm është “problemi i Kosovës për vëllezërit serbë” si dhe 500 milionë dollarë në ndihmë të ekonomisë serbe në vështirësi. Megalomaninë e pashoqe politike në dy ditë, e përmbylli kryeministri Daçiç, pas kthimit nga Moska, duke thënë për kundërshtimin e marrëveshjes dhe ndërprerjen e bisedimeve që, “Ashtu siç qëndron situata tani - jo, sepse nuk kemi ardhur deri te momenti kur duhet të vazhdojmë bisedimet”. Sfida e radikalëve serbë nuk është e panjohur - ajo veçse sa është përsëritur. Janë të njëjtët personazhe - atëherë me tjetër president, Millosheviç që nuk nënshkroi në Rambuje, këtë herë me Nikoliç, që nuk nënshkroi në Bruksel. Radikalët e sotëm në pushtet, gjithë këto sfida i bëjnë duke u trimëruar me tre faktorë jo ushtarakë: mbështetjen e qeverive që Kosovën nuk e kanë njohur ende, bindjen se Perëndimit nuk i bën më zemra të ndërmarrë një ndëshkim të përsëritur ndaj Serbisë me proceset integruese dhe, në heshtje ata mendojnë që kanë të bëjnë me një SHBA të dobësuar, madje fërkojnë duart e luten që kjo  të ndodhë. Njerëzit  mbetën  disi pa mend, kur mësuan që, serbi Vuk Jeremiç, duke qenë në krye të Asamblesë së Përgjithshme, arriti të organizojë si në ilegalitet debatin në OKB, por ata nuk habiten për Kosovën, le më për veriun e Mitrovicës, pse atje Serbia bën shumëçka e nuk ndalohet ende, qysh prej 14 vjetësh.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›