Muzgu i lajmeve
“Shqiptarët po blejnë banesa në Nish”, apo “Shqiptarët ‘pushtojnë’ Nishin” – ishin tituj bombastikë të cilët para disa ditësh gdhinë në shtypin tonë, ndërsa po të bëni një kërkim në Google me cilindo variant të tij, do të shihni se këtë lajm e kanë botuar pothuajse të gjitha portalet në internet në gjuhën shqipe nga të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët. Në garën e ashpër të tregut të medias digjitale, prioritet i parë i së cilës është bërë pothuajse shpejtësia e transmetimit të lajmeve, ndonëse më së shpeshti “copy-paste”, krahas theksit gjithmonë sensacionalist, një tregim i tillë sigurisht se ishte i mirëseardhur, meqë i jep frymë idesë “patriotikë” për kthimin tek “Molla e Kuqe” dhe teorive të konspiracionit se një skenar i tillë mbase diku nga kushedi çfarë forcash të padukshme tashmë është shkruar. Në këtë dalldi, askush nuk është ndalur të mendojë se sa është i vërtetë ky lajm, apo, së paku, sa është i besueshëm mediumi i cili e ka botuat atë i pari. Sikur ta kishin bërë këtë, atëherë do të kishin kuptuar se e përditshmja beogradase “Veçernje novosti” (Lajmet e mbrëmjes), është një tabloid, i njohur në vitet e tetëdhjeta e të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar me shkrime antishqiptare dhe me nam të zi për degradimin e pashembullt të shkrimit të lajmeve në formën “sulmuesi i panjohur i kombësisë shqiptare”. Këtë traditë, fatkeqësisht, kjo gazetë po e vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Edhe vetë përmbajtja e lajmit do të duhej të zgjonte plot dyshime. Kush na qenkan ata shqiptarë, të cilët jo vetëm që paskan aq shumë para, sa ato t’i shpenzojnë duke blerë prona të patundshme në një qytet, në të cilin, qoftë edhe se nuk do të ndjeheshin në një ambient armiqësor, atëherë të margjinalizuar po se po? Sipas regjistrimit të vitit 2002, qyteti i tretë për nga madhësia i Serbisë, për nga popullata është qytet tipik serb: 93.5 të banorëve janë të kësaj përkatësie kombëtare, kurse ndër pakicat përqindje të përfillshme (2,6) kanë vetëm romët, ndërsa të ketë shqiptarë nuk thuhet në të dhënat zyrtare.
Kush janë ata që investojnë shuma të mëdha në një tregti jo vetëm të dyshimtë e të koklavitur, por edhe në pasiguri të mbrojtjes së pronës? Sipas lajmit, shqiptarët e Kosovës deri tash qenkan bërë në mënyrë indirekte pronarë të rreth 300 banesave në këtë qytet, me ndërmjetësimin e ndihmën e serbëve të shpërngulur nga Kosova, të cilët tash jetojnë atje.
Gazeta beogradase ka “zbuluar” skemën e pabesueshme, sipas së cilës shqiptarët bëhen pronarë të banesave në Nish: serbi, me paratë e shqiptarit blen banesë dhe e regjistron në emër të vet, pastaj në gjykatë lidhin kontratë kinse shqiptari i ka dhënë para hua serbit, aq sa edhe ka kushtuar prona e patundshme e kjo e fundit, e lënë hipotekë, bëhet pronë e shqiptarit, pasi që serbi “nuk ka mundur” t’ia kthejë borxhin! Prej një skenari të tillë vetëm do të mund të bëhej një film i keq! Apo një tregim jo i bindshëm lajmesh për Lajmet e mbrëmjes, tabloidit që ua solli muzgun edhe medieve shqiptare.
E dhëna tjetër e kësaj gazete - ndonëse sigurisht e pavërtetë në shifra, se vetëm për nëntë muaj të vitit 2010 rreth 11 mijë shqiptarë nga Kosova, apo mesatarisht nga 45 në ditë, kanë kërkuar vendqëndrim në territorin e komunës së Nishit, për fat të keq mund të jetë e saktë, meqë në këtë izolim për udhëtim jashtë vendit çfarë e ka Kosova, nuk është e çuditshme që shumë sish vërtet ta kenë bërë këtë në kërkim të një pasaporte serbe, për shkak të liberalizimit të vizave ndaj Serbisë.
Por, ndonëse në dukje i pasherr, një lajm i tillë dhe shkrime të ngjashme të kësaj gazete nuk ka dyshim se kanë për qëllim ruajtjen e disponimit antishqiptar të “patriotëve” serbë, të cilët duhet alarmuar për komplotin tinëzar nga jugu. Po ashtu, edhe për ta ruajtur stereotipin për shqiptarin “përplot para”, të cilin, si i dyshimtë që është, edhe sikur ta plaçkitësh - kjo nuk paraqet ndonjë krim.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”