Zoti ynë është Narcizi
ARIAN LEKA
Sado e shumëllojshme dhe e pasur në larmi fatesh, jeta, në fund të fundit, kujdeset vetëm për një gjë: të na shndërrojë në dy forma: në lepuj ose në gomarë. Zgjidh e merr. Mundësitë janë plurale. Përpos kësaj, romaku Apuleius, ai që shkroi Gomarin e artë dhe Lewis Carroll-i, autori i Lizës në botën e çudirave, na tregojnë veç të tjerash se sa të pambrojtur jemi përballë këtyre formave shndërrimi.
Pavarësisht se ku kemi lindur, pavarësisht se cilit komb, cilës gjuhë, cilës kulturë apo cilit qytetërim i përkasim, pavarësisht se në cilën ditë kemi lindur apo cila shenjë zodiakale na sundon, dhe pavarësisht nga shpërblimet apo ndëshkimet që na vë në mësallë jeta, këtij shorti zor se mund ti shpëtojmë. Të përfshirë nga kultura e narcizizmit dhe e mbivlerësimit të vetes nuk e vumë re kur gjithë sa ishte dhe duhej të mbetej ne dhe jona u shndërrua në unë dhe imja
Sidomos në vende si ky yni, ku gjithçka ose është e vogël ose ka prirjet të zvogëlohet. Por prirja për zvogëlim, veç të keqes që mbart me vete të qenët i vogël, pohon gjithashtu një nevojë më të madhe për të thirrur, për të rënë në sy dhe për tu dukur. Në vende si ky i yni, të thërrasësh, të ngresh zërin, të kërkosh me ngulm, të shfaqesh dhe ti bësh projektorët të bien përherë vetëm mbi ty, nuk është patologji, siç përfillet në vende të tjera: te ne kjo patologji quhet mbijetesë. Madje e detyruar.
Të metat dhe papërsosmëritë e mia janë ato që më bëjnë të tregohem i matur dhe i dhembshur, sa herë që mendoj se, në qoftë se jeta do të kishte prirjen të na shndërronte jo në lepuj dhe gomarë, por në derra për shembull – një zgjidhje nga halli do të ishte leximi i Odisesë së Homerit. Aty do të mësonim emrin e barit çderrues dhe do ia hidhnim jetës paq.
Nëse jeta do të na gatiste fat rinoqeronti, do të pyesnim Ionesco-n. Veçse, në këtë rast, letërsia mund të na ndihmojë po aq sa e ndihmoi libri Pinocchio-n për tu shndërruar në një djalë të vërtetë Domethënë pak. Jeta tashmë e ka përgatitur lëngun avullues. E ka zgjedhur edhe formulën. Përfundimisht. Gomar ose lepur.
Atyre të paktëve që takoj ndonjëherë ua them hapur. Duhet mbledhur mendja. Jo luftë. Paqe. Nja dy a tre të tjerëve, me të cilët më bëhet sikur komunikojmë, u kujtoj pa ndonjë këmbëngulje se radha e punëve është përgjithësisht kjo: në fillim jeta ndjell, grish, shpërblen, pastaj fillon të na lodhë nga pak, sjell monotoni, shëmtim, pastaj na zhgënjen, më pas na hedh ndonjë kockë si dhuratë, që ta lëpijmë, më shumë për ta kuptuar thellësisht mërzinë dhe lodhjen, gjer sa të kapitemi dhe të kapitur të dorëzohemi, të lëshohemi fare dhe sa pa dhënë frymën e fundit, të pranojmë një nga të dy fatet: gomarin apo lepurin.
Të luftosh kundër këtij fati? Përse? Mos jemi gjë pa alternativë? Për më tepër atëherë kur sprovat e dështuara të paraardhësve ruajnë vlera urtësie edhe për ne të sotmit. A nuk duhet të stepemi sa herë kujtojmë ngulmimin egoist të Dedalit dhe të djalit të tij, Ikarit, që vunë krahë dhe deshën të fluturonin nëpër qiell, vetëm e vetëm për tiu shmangur fatit tokësor të paracaktuar?
Ovidi, Dante, Virginia Woolf, Franc Kafka, si dhe qindra e qindra përralla, mbërritur prej të gjitha kohërave dhe viseve të dheut, mbijetuan si për të na thënë se kemi qenë të paralajmëruar për gjithë sa po ndodh. Dhe nuk paska shpëtim?
Në formacione të tilla si shteti – koncept ky që rishtarët dhe të vonuarit (poza të cilat ne nuk mëtojmë ti bëjmë, madje edhe nuk jemi) e shkërbejnë jo rrallë me qeverisjen dhe pushtetin – apo edhe tek institucionet – mes të cilave ato me karakter edukues dhe shpirtëror – mugullon shpresa se jeta do të na shndërrojë, por jo detyrimisht në dy format aq shpesh të përmendura më lart. Veç atyre mund të ketë edhe diçka tjetër.
Veçse aty ku shfaqet shpresa, rroposet dhe besimi se kjo gjasë mund të dalë e vërtetë. Dy metamorfozat që na sugjeron jeta, ndodhin më së shumti në trup të formacioneve ideale: komb, shtet, qeveri, institucion, pushtet – ku gjithçka është e jona, por sndihet, pasi veç emërtesave të zbrazura dhe zhgënjimeve të përsëritura, nuk na jepen arsye të forta ta përjetojmë si ideale.
Ndaj dhe mundësitë e zgjedhjes mbeten po aq: dy. Veçse asgjë e sigurt dhe e qëndrueshme nuk mund të premtohet për sa kohë që në mes të kësaj historie metamorfozash do të jetë njeriu. Sidomos nga ai lloj njeriu si unë, që edhe pas thuajse 500 vjetësh, vazhdoj të besoj Michele de Montaigne-in, kur thotë se askush nuk do ta lërë këtë botë pa i dhënë diçka kësaj jete: gjithkush prej nesh jep ndihmesë dhe kontribuon sa dhe si mundet në korruptimin e epokës së vet. Veç në mos i ardhtë rasti.
Ndaj dhe nuk duhet të jemi aq mosmirënjohës sa të ngrihemi dhe të ankohemi kundrejt fatit që nuk na bëri miza apo krimba, siç vëren Migjeni. Përse të ankohemi? Nga se duhet të shpëtojmë? Përse duhet ti shmangemi ligjësisë së kësaj epoke? Zgjidhje ka: lepuri ose gomari strukja ose dukja. Për të gjithë.
Sado që deri në këtë pikë të rrëfimit gjendja duket disi e pashpresë, nuk duhet humbur filli, se gjithsesi rrugëdalje ka. Se kjo ligjësi gjithëpërfshirëse, ka sigurisht edhe përjashtimet e veta. Prej duhisë së saj, disa arrijnë të mbrohen dhe të mbijetojnë, siç thamë. Nuk janë të përveçëm, janë të zgjedhur.
Për të mos e zgjatur po them se këtyre shndërrimeve arrijnë tu bëjnë bisht vetëm ata që, si diletantë apo si profesionistë, merren me politikë apo ata që, si mëditës apo si shefa të mëdhenj, përfshihen në botën e medies.
Mund të mos jetë meritë e këtyre njerëzve, por nuk më bën goja të them se nuk kanë treguar kurrfarë aftësie për ta merituar këtë fat. Mbase nuk kanë punuar aq fort, por kanë ditur të shfaqen, ndaj dhe e meritojnë të shpëtohen. Dhe për më shumë, këta njerëz kanë ditur të zgjedhin. Sidomos kur ka ardhur puna për të zgjedhur zotat pajtues.
Mes gjithë shenjtëve që janë ende në qarkullim, ata zgjodhën zotin e duhur. Ndryshe nga ne, ata i falen një zoti tjetër: ata nderojnë Narcizin. Ky i mbron. Narcizi. Narcizi është zgjidhja për të mos pranuar asnjë nga dy ofertat e jetës: gomar ose lepur.
Por kam përshtypjen se te Narcizi ngatërrohen paksa punët. Kurrikulat e sistemit tonë arsimor po krijojnë pa e ditur as vetë një kundërkulturë. Ato po ngulisin në mendjet e filloristëve dhe të nxënësve të niveleve të ulët shkollor ide që shkojnë përkundër me shpirtin e epokës sonë.
Në lëndën e letërsisë, për shembull, një nga oazet e pakta ku mbijeton fryma e epokave të shkuara, atyre u rrëfejnë për historinë e një djaloshi naiv që na ra në dashuri me pasqyrimin e vetvetes dhe që më pas vdiq i shqyer nga langonjtë e vet, të cilët nuk e njohën kur u shndërrua në kaproll.
Nuk duhet tua bëjmë fëmijëve kaq të padashur figurën e Narcizit. Nuk duhet të mbjellim në mendjet e tyre këtë farë përbuzjeje dhe urrejtjeje. Do tu duhet. Me të do të kenë të bëjnë më shumë se me gjithë ata që kanë mësuar dhe harruar nga shkollat. Sidomos kur vjen fjala për naivitetin e Narcizit duhet pasur kujdes. Narcizi është zoti i mirë, zoti që nuk ka nevojë për shërbim, është zot-shërbyes, është zoti që na gjendet dhe na ndihmon të përballojmë krizat. Narcizi është mundësia e tretë.
Por nëse narcizizmi është bërë shenja e identitetit të qytetërimit të sotëm, siç thuhet, për ne kjo shenjë identiteti është kthyer tanimë në kulturë. Është kultura e një