E Diel, 1 Nëntor 2026

Zubin Potok, identifikohen mbetje kockore të së paku 23 individëve

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ka njoftuar se gjatë veprimeve të gërmimit në lokacionet e dyshuara në Zubin Potok, të mërkurën është konfirmuar gjetja e radhës nga mjekët ligjorë.

Sipas deklaratës zyrtare, ekzaminimet fillestare në terren kanë nxjerrë në dritë prova të reja mbi mbetjet mortore. Institucionet e përfshira bënë të ditur se “gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve”.

Autoritetet shtuan se “identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, do të vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje. Në kuadër të këtij procesi gjyqësor, hetuesit kanë vënë në shënjestër disa persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje. Siç konfirmohet në njoftim, “aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”.

Së fundmi, PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja nënvizuan përkushtimin e tyre për ta dërguar procesin deri në fund me standardet më të larta profesionale. Ato theksuan se shprehin garancinë “për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur”, duke nëvizuar se çdo e dhënë e re do të bëhet publike në përputhje me kërkesat ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›