E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv.ministri Bino: Do penalizohen të gjithë ndotësit akustikë

Shqetësimit të banorëve për nivelin e lartë të zhurmave që po pasqyrohet në gazetën "Shekulli" shpesh u janë bashkuar edhe njerëz të njohur të shoqërisë apo edhe politikanë.


Në reagimet e këtyre figurave publike bëhet thirrje për respektim të ligjit dhe eliminim të ndotjes akustike. Taulant Bino, Zëvendës ministër në Ministrinë e Mjedisit, në opinionin e tij për këtë problem siguron se do të penalizohen të gjithë subjektet që janë burime të ndotjes akustike, pasi ky është një detyrim ligjor.

"Ndotja akustike është një problem në qendrat kryesore urbane, sidomos në zona të caktuara të qytetit të Tiranës. Kjo situatë vjen si pasojë e një planifikimi të gabuar të qytetit sidomos të aktiviteteve që nuk duhej të ishin licensuar asnjëherë por që fatkeqësisht janë licencuar, siç janë lokalet e natës të cilat krijojnë ndotje akustike për shkak të muzikës së lartë që luajnë. Këto subjekte kur kanë marrë licensën për hapjen e aktivitetit nuk kanë marrë masa për ndotjen akustike për të siguruar që lokali të mos cënojë banorët me zhurma.


Ministria e Mjedisit i ka nxjerrë normat e përgjithshme por duhet që Bashkia të bëjë rajonalizimin e zhurmave pasi kjo është detyrë e saj. Pra do të ketë hapësira ku ndotja akustike të jetë e lartë por në hapësirat ku jetojnë njerëzit nuk duhet të ketë ndotje.


Pjesa tjetër që kemi bërë ne si inspektorat i Agjencisë së Mjedisit janë kontrollet në pjesën më të madhe të lokaleve të Tiranës ku kemi marrë masa ndëshkimore për ato subjekte që kanë pasur ndotje akustike mbi normat.


Në fazën e parë, një pjesë e mirë e lokaleve janë këshilluar për ndotjen akustike dhe kur nuk e kanë zbatuar është bërë penalizimi. Megjithatë unë ju siguroj se do të vazhdojnë të penalizohen të gjitha subjektet që janë burime të ndotjes akustike pasi ky është një detyrim ligjor".


Themistokli Popa, "Ali Demi" 15:30

Shqetësimi kryesor për shumë banorë të kryeqytetit mbeten zhurmat që krijohen nga qarkullimi i renduar i automjeteve. Themistokli Popa është një banor i cili thotë se problemi më i madh mbetet zhurma që krijohet nga boritë e makinave.


Zhurma e automjeteve , shqetësimi më i madh

A ju shqetësojnë zhurmat?


Shqetësimin më të madh na e shkaktojnë zhurmat e automjeteve. Ne jemi mësuar që borisë së makinës t'i biem kur kemi dëshirë dhe jo kur duhet. Shoferët kur dalin në rrugë e përdorin borinë si të kenë dëshirë. Boria është burimi kryesor i zhurmës që na shqetëson.


Edhe zhurma që shkakton lëvizja e automjeteve është një problem. Makinat këtu janë në një numër të konsiderueshëm po të kemi parasysh që jetojmë në një qytet kaq të vogël. Pallatet tona janë pranë rrugës, nuk janë ndërtuar sipas rregullave të urbanistikës, nuk kanë as izolim ndaj zhurmave dhe është e natyrshme që zhurmat të depërtojnë në brendësi të apartamenteve tona.

Si duhet të zgjidhet ky problem?


Zhurmat e lokaleve janë një problem shumë i madh. Mendoj se duhet të ketë një orar maksimal që t'i kufizojë. Megjithatë për mendimin tim lokalet që ndodhen në zonat e banuara edhe mund të mbyllen. Ligji është ligj dhe duhet zbatuar. Nuk është e drejtë që në katin e parë të pallatit njerëzit të kërcejnë dhe banorët që jetojnë në katin e dytë të mos flenë gjumë për shkak të muzikës së lartë.

A mendoni se lokalet e natës duhet të ndërtohen në periferi?


Kjo do të ishte një zgjidhje shumë e mirë. Por problemi nuk qëndron tek ato që do të ndërtohen, por tek lokalet që janë ndërtuar. Besoj se kushdo që jep lejet për hapjen e këtyre lokaleve duhet t'i studiojë edhe nga kjo pikëpamje.

Ilirjan Çule


Lokalet duhet të ndërtohen në bodrume dhe të izolohen

A ju shqetësojnë zhurmat?


Problemi është se pallatet tona të ndërtuara gjysmë shekulli më parë, nuk janë projektuar që katet e para një ditë të shndërrohen në klube nate. Dhe natyrisht që zhurma transmetohet deri në katet e mësipërme. Lokalet e reja duhet të ndërtohen nëpër bodrume, të jenë te izoluara totalisht.


Ashtu siç janë në të gjithë botën, në të kundërt kushdo që jeton sipër tyre do të shqetësohet. Shqiptarët shqetësohen shumë nga zhurmat. Përveç zhurmës së makinave ne kemi edhe një tjetër burim zhurme që na shqetëson, gjeneratorët. Ka furra buke që punojnë me gjeneratorë gjatë gjithë natës. Janë edhe shoferët u bien borive të makinave sipas qejfit. Ky është një problem që ekziston në mentalitetin shqiptar. Se po t'i çosh po këta njerëz jashtë shtetit do të jenë shumë të rregullt, do të respektojnë edhe vijat e bardha edhe hedhjen e mbeturinave dhe çdo gjë. Kjo ka të bëjë me atë se kur ne do të civilizohemi në këto drejtime.



Dilaver Braho, 03:59
Ne qoftë se zbatohet ligji, problemi zgjidhet

Ju shqetësojnë zhurmat urbane?


Shumë, ka shumë zhurma pasi poshtë pallateve, në katet e para janë bërë dyqane edhe lokale. Pranë pallatit tonë jepen licensat për xhenerikët dhe behet shumë zhurmë. Unë jam në katin e dytë dhe poshtë meje është xheneriku , me të cilin kam pasur dhe konflikte. Zhurma në apartamentin tim dëgjohet nga mëngjesi deri pasdite. Çuditem se si zyra e tatimeve jep licenca për hapjen e aktiviteteve atje ku nuk duhet.

Si mendoni se mund të zgjidhet ky problem?


Ne qoftë se zbatohet ligji problemi mund të zgjidhet. Nëse edhe Bashkia dhe institucionet e tjera përkatëse e ndjekin këtë çështje, problemi mund të zgjidhet. Kur problemi nuk zgjidhet nga këto institucione nuk mund të zgjidhet asgjë.

Jeni dakord që lokalet e natës të ndërtohen në periferi?

Po lokalet e natës duhet të ndërtohen atje ku nuk banon njeri, pasi shqetësojnë familjarët

Zojë Dollapi, 07:00


Nuk jemi kundër muzikës por duhen izoluar lokalet

A ju shqetësojnë zhurmat?


Ka shumë zhurma që na shqetësojnë, zhurmat që krijohen nga qarkullimi i makinave apo nga njerëzit. Njerëzit bëjnë "jetë nate" në lokalet që gjendet mes pallateve dhe ne nuk arrijmë të flemë gjumë. Ka shumë lokale përreth pallatit tonë që luajnë muzikë më volum të lartë. Ne nuk jemi kundër muzikës, por pronarët e lokaleve nuk i kanë krijuar kushtet që muzika të mos dëgjohet jashtë ambientit. Lokalet duhet te jenë të mbyllura hermetikisht që të mos dëgjohet muzika jashtë.

Si duhet të zgjidhet ky problem?


Makinat që janë jashtë kushteve teknike nuk duhet të qarkullojnë, ndërsa lokalet duhet të mbyllen hermetikisht në mënyrë që të mos dëgjohet asgjë. Kushdo që i ka këto lokale do të fitojë, po zhurma është shumë shqetësuese për banorët.


Mendoni se lokalet e natës duhet të ndërtohen në periferi?


Në të gjithë botën kështu veprohet. Psh në Zvicër të gjitha lokalet e natës janë të ndërtuara në periferi.

Zonja pa emër


Zbatimi i ligjit do të sjellë qetësinë

Ju shqetësojnë zhurmat?
Po, trafiku është një problem shumë i madh. Gjatë verës ky problem ka qenë shumë shqetësues. Lokalet luanin muzikë në çdo orar. Njerëzit punojnë me turne dhe duan qetësi që të pushojnë. Muzika e lokaleve ka qenë gjithmonë një problem.

Si mendoni se duhet zgjidhur ky problem?
Duhet të zbatohen rregullat dhe ligji në mënyrë që të vendoset rregulli dhe qetësia në jetën qytetare.


A mendoni se lokalet e natës duhet të ndërtohen në periferi?
Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Në qytet ka shumë dyndje njerëzish dhe qetësi nuk ka. Nata është shumë e zhurmshme.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›