Zv/ministri italian Urso: Shqipëria po ndryshon falë reformave të ndërmarra nga qeveria e Kryeministrit Berisha
- Kryeministri Berisha u shpreh se “në strategjinë e qeverisë time për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale, ky është një diamant i vërtetë”
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve, i ndërtuar nga Petrolifiera Italo – Albaneze, në Pyllin e Sodës, në Vlorë, një investim me vlerë 57 milionë euro. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe ambasadori i Italisë në Tiranë z. Saba D’Elia, zv/ministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë italiane z. Adolfo Urso, drejtori i Petrolifera Italo -Albanese z. Guido Ottolenghi, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë investim të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Vlorën, por edhe për Shqipërinë dhe rajonin. Kryeministri Berisha u shpreh se “në strategjinë e qeverisë time për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale, ky është një diamant i vërtetë”.
Kryeministri Berisha u shpreh se bizneset italiane janë në krye të investimeve të huaja në Shqipëri, ku vetëm në gjashtë muajt e fundit janë nënshkruar me kompanitë më të mëdha italiane investime që i kalojnë 3.6 miliardë euro, si dhe janë në përgatitje e sipër kontrata me disa miliardë euro të tjera. “Një gjë është e sigurt, se Shqipëria është bërë vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe ata botërorë. Natyrisht, ashtu siç pritej dhe ashtu siç duhej, investimet italiane janë në krye të këtij procesi jetik për Shqipërinë. Këto investime janë të shpërndara në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha janë në fushën e energjetikës. Unë kam besim të madh se gjatë viteve që vijnë këto investime do të shumëfishohen. Premtimi im para investitorëve italianë dhe atyre të mbarë botës është se ky vend do të ndërmarrë çdo reformë, çdo ligj dhe çdo vendim për t’u bërë vendi më miqësor dhe më i përshtatshëm për investimet e huaja në Evropë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri theksoi se Shqipëria ka shënuar rezultate të mëdha në përmirësimin e klimës së biznesit, duke qenë sot vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. "Ne së shpejti do të jemi vendi me konkurrencën më të lirë në Evropë. Ky është premtimi ynë. Ne do të jemi vendi i praktikave më liberale”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, drejtori i Petrolifera Italo -Albanese z.Guido Ottolenghi u shpreh se ky investim do të ketë efekte të dobishme në të gjithë tregun energjetik shqiptar, pasi është investimi i parë në këtë sektor që ndjek standardet më të përparuara evropiane dhe bën që ndërmarrjet ndërkombëtare t’i kthejnë sytë nga Shqipëria. Sipas tij, një tjetër efekt pozitiv i këtij investimi do të jetë edhe hapja e vendeve të reja të punës. Zoti Ottolenghi i shprehu mirënjohje qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera në vend për mbështetjen që kanë dhënë në realizimin e kësaj vepre. “Vendi juaj po ndryshon, infrastruktura po përmirësohet, qeveria dhe administrata publike po bëhen gjithnjë e më dinamike. Sistemi financiar ka evoluar shumë dhe shumë banka ndërkombëtare veprojnë sot në Shqipëri duke ofruar produkte gjithnjë e më të përparuara. Në Shqipëri ne kemi njohur shumë njerëz të ndershëm dhe të aftë, me eksperiencë dhe vizion, të cilët do ta çojnë përpara këtë vend. Shqipëria ka hyrë në NATO dhe së shpejti do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Ndërsa zv/ministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë italiane z. Adolfo Urso vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe kontributin personal të Kryeministrit Berisha në këto reforma dhe u shpreh se Shqipëria po ndryshon çdo ditë në të gjitha drejtimet. “Shqipëria është duke ndryshuar. Ajo do të ndryshojë edhe më shumë, do të ndryshojë me punën e shqiptarëve dhe me ndihmën e investitorëve të huaj”, u shpreh ai. Duke iu referuar inaugurimit të sotëm të terminalit të depozitimit të karburanteve, z. Urso u shpreh se kjo vepër bën që qyteti i Vlorës, i cili vite më parë identifikohej si qyteti i trafiqeve, sot të jetë qyteti i ndryshimeve të mëdha dhe që i ofron investitorëve të huaj mundësi të mëdha dhe siguri për investimet e tyre.
Fjala e Kryeministrit Berisha, mbajtur në ceremoninë e inaugurimit;
“Së pari, dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht zotin dhe zonjën Ottolenghi, themeluesit e kompanisë Petrolifera. Dua t’i shpreh atyre mirënjohjen më të thellë, sepse me një akt besimi madhor vendosën këtu një projekt të shkëlqyer, një ëndërr tyren të mrekullueshme. Dua të falënderoj mikun tim Adolfo Urso, ambasadorin e Italisë në Tiranë z. Saba D’ Elia, drejtorin e Petrolifera Italo -Albanese z. Guido Ottolenghi dhe të gjithëve ju, për praninë në këtë ngjarje, e cila është e një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për Vlorën, këtë qytet me pozicionin gjeografik ndër më të rëndësishmit në të gjithë rajonin. Në rast se Shqipëria ka një pozicion shumë të lakmueshëm si port i Evropës drejt Ballkanit dhe anasjelltas, Vlora është krahu më perëndimor i kësaj porte. Vlorën e ndajnë nga bregu tjetër vetëm 90 kilometra. Unë dua të falënderoj me mirënjohje z.Guido Ottolenghi, i cili me një integritet të madh dhe me një përkushtim të shkëlqyer ka këmbëngulur në këtë projekt duke kaluar vështirësi jo të pakta. Gjithashtu, dua të falënderoj ekipin e tij, punëtorët, inxhinierët dhe drejtuesit, sepse sot ata i bëjnë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë një dhuratë të jashtëzakonshme. Vlora pa portin e saj energjetik është vetëm një qytet vetëm i kohërave të shkuara, ndërsa Vlora me portin e saj energjetik përmbush të gjitha detyrimet e mëdha që ka jo vetëm ndaj qarkut të saj apo jugut të Shqipërisë, por edhe ndaj gjithë Shqipërisë dhe Ballkanit. Sot qyteti bëhet me terminalin më të ri dhe më modern të Mesdheut, me një port të standardeve më të lata. Në strategjinë e qeverisë time për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale, ky është një diamant i vërtetë.
Zoti Guido Ottolenghi, ju në fjalën tuaj thatë se keni punuar me katër qeveri për këtë projekt, por dua të saktësoj se tre prej tyre kanë qenë qeveri socialiste dhe vetëm njëra ka qenë qeveri demokrate. Në qoftë se në një hark kohor prej tetë vitesh punove me tre qeveri socialiste, ky nuk ishte faji ynë, por kjo vjen sepse socialistët në traditën e tyre të përjetshme kudo që ndodhen, në emër të popullit, më shumë se për çdo për çdo gjë tjetër kujdesen për karrigen e tyre. Kjo është e vërteta. Ndërsa të tjerëve u mbetet që të kujdesen për zhvillimin. Ndaj më vjen shumë mirë që së bashku, me një bashkëpunim luajal dhe të ngushtë, përfundojmë këtë vepër të madhe dhe një nga investimet më të mëdha në këto katër vite në Shqipëri, me vlerë 57 milionë euro. Ky është një nga investimet më jetike dhe më të domosdoshme për Vlorën dhe për vendin. Dua të theksoj se z. Guido Ottolenghi ka bërë përpjekje të mëdha dhe e ka ndihmuar shumë qytetin e Vlorës. Ka transportuar dhe transferuar në plazhin e këtij qyteti mbi 100 mijë m3 rërë, për ta bërë atë një plazh shumë më të mirë. E ka shndërruar këtë zonë në një park të mrekullueshëm energjetik. Dua t’u bëjë të ditur qytetarëve të Vlorës se kjo ditë shënon edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme për qytetin; largimi përfundimtar të një rreziku permanent që përbënte shkarkimi i gazit në portin e tyre. Ky ishte absolutisht një nga proceset më të rrezikshme në Shqipëri, por sot tutje ky rrezik merr fund.
I dashur zv/ministër Urso,
Ne kemi një miqësi dhe një bashkëpunim të gjatë. Jemi përpjekur që të zgjerojmë marrëdhëniet në ato fusha ku ishim më mbrapa dhe në ato fusha që ishin jetike për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Dua që t’ia përcjellësh mikut tonë të përbashkët, Kryeministrit italian Silvio Berluskoni, se kjo pranverë mund të quhet pranvera e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri. Katër vite më parë kam zhvilluar një vizitë në Itali. Ambasada italiane dhe Instituti për Tregtinë e Jashtme më organizuan një takim të shkëlqyer me investitorët italianë atje. Katër vjet më parë unë i’u premtova atyre se do të bëjë çdo gjë që të rikthejë besimin e tyre të Shqipëria. Dhe cili është realiteti sot? Sot është një realitet, të cilin unë në parashikimin tim më optimist nuk guxoja ta deklaroja katër vite më parë. Vetëm gjashtë muajt e fundit ne kemi nënshkruar me kompanitë më të mëdha italiane investime që i kalojnë 3.6 miliardë euro, si dhe janë në përgatitje e sipër kontrata me disa miliardë euro të tjera. Një gjë është e sigurt, se Shqipëria është bërë vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe ata botërorë. Natyrisht, ashtu siç pritej dhe ashtu siç duhej, investimet italiane janë në krye të këtij procesi jetik për Shqipërinë. Këto investime janë të shpërndara në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha janë në fushën e energjetikës. Unë kam besim të madh se gjatë viteve që vijnë këto investime do të shumëfishohen. Premtimi im para investitorëve italianë dhe atyre të mbarë botës është se ky vend do të ndërmarrë çdo reformë, çdo ligj dhe çdo vendim për t’u bërë vendi më miqësor dhe më i përshtatshëm për investimet e huaja në Evropë.
Ne kemi shënuar rezultate të mëdha në përmirësimin e klimës së biznesit. Sot jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe vendi me koston e prodhimit më të ulët në Evropë, por ambiciet tona janë shumë më të mëdha. Ne së shpejti do të jemi vendi me konkurrencën më të lirë në Evropë. Ky është premtimi ynë. Do të jemi vendi i praktikave më liberale. Shqipëria nuk ka nevojë të ecë përpara, ajo ka nevojë të vrapojë, të vrapojë apo dhe të fluturojë, sepse është një vend me kohë të humbur. Dhe Shqipëria në të vërtetë është në vrapim. Vitin 2008 Shqipëria e mbylli me një rritje ekonomike tetë për qind, me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë. Dhe sërish, në një kohë krize globale, rritja jonë ekonomike është më e larta në Evropë, sipas institucioneve ndërkombëtare. Kjo ndodh jo sepse ne jemi një ekonomi e shkëputur, pasi edhe ne jemi pjesë e ekonomisë botërore, por ndodh sepse ne kemi vendosur standardet më liberale, kemi krijuar klimën më të favorshme për biznesin. Nuk them se jemi bërë parajsa e investimeve, sepse parajsa është qiellore dhe nuk them se nuk ka vështirësi. Zoti Guido Ottolenghi i njeh shumë mirë këto vështirësi, por ju them se suksesi është i sigurt dhe do të jetë gjithnjë e më i sigurt.
Zoti ambasador D’Elia,
Dua t’ju shpreh një falënderim të veçantë ju dhe gjithë ekipit të ambasadës italiane në Tiranë, sepse pa punën, pa angazhimi dhe pa përkushtimin tuaj, këto rezultate do të ishin të pamundura. Dua të informoj publikun se 95 për qind e korrespodencën time të shpeshtë me mikun tim Saba D’Elia lidhet me biznesin. Ndërsa marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera.
Miku im, Adolfo Urso,
I jam shumë mirënjohës qeverisë tuaj dhe mikut tim Silvio Berluskoni, për mbështetjen e gjithanshme që i keni dhënë dhe i jepni Shqipërisë, për solidaritetin e jashtëzakonshëm që i keni dëshmuar vendit tim, por edhe për kënaqësinë shumë të madhe që sot Shqipëria të shndërrohet në një nga vendet më të preferuara të biznesit italian në Evropë dhe në botë. Dua t’ju falënderoj sërish z.Guido Ottolenghi, sepse ju keni treguar cilësi shumë të larta, keni punuar me një përkushtim shumë të lartë, me kompetencë dhe me një gjakftohtësi të veçantë. Ju keni nderuar prindërit tuaj, vendin tuaj dhe Vlorën, gjithashtu.
Para se te vija këtu mora vesh se krijuan sërish historinë e orës së Presidentit Bush. Pak më tej kanë hedhur ca naftë, për të prishur syrin e keq, por ne do t’ua lëmë atyre këto truke dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë vepra si kjo. Le t’u lëmë atyre histori të tilla të turpshme, le t’ia lëmë ato atyre që i stisin. Ndërsa ne i ofrojmë qytetit të Vlorës portin energjetik më modern të Mesdheut dhe një port të standardeve më të larta, të sigurisë dhe të pastërtisë më të madhe.
Edhe një herë ta gëzojë Vlora, ta gëzoni ju, ta gëzojë familja Ottolengi dhe të gjithë së bashku.”
03/06/2009