Zv.ministri Çollaku sulmon Arvizu-në: Të krahasosh zgjedhjet e 23 qershorit me të vitit 1992, provokim
Zv.ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Në një koment në profilin e vet në Facebook, Çollaku, zv.ministër i Jashtëm prej tre muajsh, akuzon diplomatin nga SHBA, pas vlerësimit pozitiv që ju bëri zgjedhjeve të qershorit 2013, ku u shpreh: Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin.
Çollaku shkruan: I çuditur nga komenti i ambasadorit Arvizu, sot nga Jala. Kaq vite në Shqipëri duhet ti kishin mjaftuar për të kuptuar ndryshimin mes zgjedhjeve të 1992 dhe atyre të 2013. Të parat përmbysën regjimin stalinist të PPSH, një ndër egërsirat me atavike të Europës. Në 92 ish kolegu i tij Rajerson, në tribunë të partisë së parë të pluralizmit dhe fituese të atyre zgjedhjeve mbante dy gishtat lart, duke premtuar se nga ai moment Shqipëria do ishte pjesë e demokracive perëndimore. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ecën e sigurtë drejt antarësimit në BE.
Në zgjedhjet e 2013, ka ndodhur një rotacion politik, i cili do ishte normal nëse nuk do kishte ndodhur nëpërmjet blerjes masive të votave me para nga burime të pista e të errëta. Të krahasosh dy ngjarjet është naive dhe provokuese ndaj historisë së vendit. Asgjë e pazakontë nuk ka ndodhur në 2013 përveçse një proces normal alternimi politik. E pazakonta sot është se ambasadori me mandat të mbaruar Arvizu, duke u ngrohur në rrezet e diellit të Jalës me Ilir Metën (për të cilin u mundua aq shumë ta bllokonte pjesëmarrjen në qeverinë e shkuar dhe e shokonin vendimet e gjykatave që e shpallnin të pafajshëm)..krahason të pakrahasueshmet. Por siç i thonë këtej nga ne, me gushtin ikën dhe vapa, e mesa duket do ikë dhe historia mosrespektimit të të vërtetave historike dhe e ambasadorëve tifozë.
Çollaku, 43-vjeç, i diplomuar për italisht, ishte emëruar në 2005 i ngarkuar me Punë në ambasadën shqiptare në Uashington nga ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, pas ardhjes së PD-së në pushtet në shtator 2005. Pas përfundimit të mandatit ai u kthye në Shqipëri dhe pas largimit të figurave politike të LSI-së nga qeverisja, në 24 prill 2013 u emërua zv.ministër i Punëve të jashtme të Shqipërisë./A.Xh