E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare, Bulku firmos për 2 vjet me Hajdukun

TIRANE- Ervin Bulku është bërë dje zyrtarisht futbollist i Hajdukut të Splitit. Pasi ka marrë OK-in nga ekipi që zotëronte kartonin e tij, Dnjepri në Ukrainë, mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka firmosur dje me ekipin e dytë për nga madhësia në Kroaci. Bëhet fjalë për një kontratë të mirë për Bulkun, i cili ishte duke u stërvitur prej disa muajsh te Tirana për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit ukrainas. Mesfushori ka nënshkruar për një vit, me opsion për të rinovuar edhe për një vit tjetër. Ndërkohë, ai do të përfitojë rreth 150 mijë euro në sezon, një shumë që nuk do ta përfitonte në asnjë prej klubeve shqiptare që i bënë ofertë në merkaton e verës. Vajtja e Ervin Bulkut në Kroaci është një lajm i mirë edhe për trajnerin e kombëtares Josip Kuzhe, duke parë se shumë prej titullarëve të ekipit kuqezi janë pa skuadër. Bulku ndërkohë do të luajë me skuadrën e dytë më të madhe në Kroaci, pas Dinamos së Zagrebit. Hajduku i Splitit është ekipi i vetëm që rivalizon për titull në këtë vend, ndërsa është një pjesëmarrës i rregullt në Kupat e Evropës. Bulku pritet të debutojë që të dielën, në ndeshjen që Hajduku do të luajë në shtëpi kundër Zadarit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›