E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare: EULEX heton autostradën Morinë-Merdarë

Misioni i BE-së për Sundimin e Rendit dhe Ligjit në Kosovë EULEX ka nisur hetimet për Autostradën Morinë-Merdarë, pavarësisht se një gjë të tillë e kanë mohuar shumë herë. Mirëpo, dokumentet tregojnë se EULEX-i i ka kërkuar një pjesë të dosjes së tenderit për autostradën në Ministrinë e Infrastrukturës.

Përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës për EULEX-in, të datës 11. 05. 2012,e ka siguruar Kosovapress-i, ku tregohet se EULEX-it ia kanë dorëzuar kopjen e dosjes së tenderit për Ndërtimin, Mbikëqyrjen dhe menaxhimin e autostradës Morinë-Merdarë.

Në bazë të kërkesës suaj të datës 29. 03. 2012 nr. FIU/12/20120329/3381 nr. i rastit PPS25/10, ju dorëzojmë kopjet e dosjes së parë të tenderit me nr. Rendor prej 1-371, dhe dosja e dytë me nr. rendor prej 1-317, Ndërtimi Mbikëqyrja dhe menaxhimi i rrugës nr. 7 (Autostrada Morinë-Merdarë), thuhet në përgjigjen e departamentit të Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës .

Po ashtu në një përgjigje tjetër të Ministrisë së Infrastrukturës për EULEX-in, përkatësisht njësinë e Hetimeve Financiare dhe Policinë e Kosovës, i ka dorëzuar një kopje të dosjes së tenderëve për Ndërtimin, Mbikëqyrjen dhe menaxhimin autostradës Morinë-Merdarë.

Ndërsa, duke qenë se është nën hetime procesi i ndërtimit të Autostradës, as komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike nuk e ka diskutuar këtë çështje, duke e shtyrë për një mbledhje të ardhshme, me kërkesë të deputetëve partisë në pushtet.

Por, kryetari i Komisionit Ali Sadriu tha se është i habitur me prononcimet e EULEX-it se autostrada nuk është nën hetime, derisa kërkesat që i janë bërë Ministrisë së Infrastrukturës e argumentojnë të kundërtën dhe ajo po hetohet nga ky mision.

Ndërsa, çështja e hetimit të rrugës së kombit ka bërë që edhe kontrata të mos publikohet nga qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria e Infrastrukturës.

Por, Sadriu thotë se do ta bëjnë publike kontratën po sa të përfundoj hetimi, pasi një investim aq i madh i qeverisë me mbi 1 miliard euro të dhënë nga buxheti i shtetit, duhet që edhe qytetarët të dinë për kontratën e ndërtimit të saj.

Ndërsa, në anën tjetër deputetët e partisë në pushtet PDK-së, kanë thënë se nuk ka asgjë të fshehtë rreth çështjes së autostradës, duke qenë se është projekti më i madh dhe më me interes për qytetarët e vendit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci u shpreh se ata nuk janë kundër diskutimit për Autostradën, pasi nuk ka të fshehtë asgjë rreth rrugës së kombit, por nuk është koha që tash komisioni ta diskutoj çështjen e Autostradës.

Diskutimi rreth Auditimit të Autostradës ka qenë si pikë e rendit të ditës në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, por kjo u shty me kërkesë të deputetët së PDK-së Valbona Dibra, e cila dha si arsyetim kohën për ta diskutuar këtë çështje.

E me shumicë votash kjo kërkesë e saj u shty për mbledhjen e radhës, e që kundër ishte kryetari i Komisionit Ali Sadriu, i cili tha se nuk ka nevojë të shtyhet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›