E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zyrtarët kinezë dhe rusë vizitë në Korenë e Veriut në përkujtim të armëpushimit të Luftës Koreane

Kina dhe Rusia, si aleate të vjetra të Koresë së Veriut, do të dërgojnë për një vizitë atje dy delegacione të nivelit të lartë. Vizita e konfirmuar nga të tre vendet vjen me rastin e festimeve për 70 vjetorin e përfundimit të Luftës Koreane.

Koreja e Veriut po përgatitet për festimet e 70-vjetorit të përfundimit të Luftës Koreane ndërkohë që Kina dhe Rusia do të dërgojnë delegacione të nivelit të lartë në vendin e izoluar.

Zyrtari i partisë komuniste kineze, Li Hongzhong do të jetë në krye të delegacionit zyrtar që do të vizitojë vendin këtë javë. Kjo do të jetë vizita e nivelit më të lartë që zhvillon Kina në Korenë e Veriut që prej pandemisë së covid 19.

Ndërsa vizita e delegacionit rus ka nisur më 25 korrik dhe do të zgjasë dy ditë siç njoftoi ministria e mbrojtjes ruse.

”Vizita do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve ushtarake mes dy vendeve dhe do të jetë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve” thuhej në deklaratën e ministrisë së mbrojtjes ruse.

Vizitat u konfirmuan edhe nga gazeta shtetërore e Koresë së Veriut, me rastin e festimeve për përfundimin e Luftës Koreane më 27 korrik, që ajo e quan ”Dita e Fitores”.

Gazetare Megi Mehilli

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›