E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet miqësorja Gramozi-Real Madrid

Skuadra spanjolle e yjve, Reali i Madridit, do të zhvillojë një takim miqësor në 20 janar, ora 18:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndaj ekipit të Gramozit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht sot nga kompania “Taçi Oil International”, organizatore e miqësores ndërkombëtare dhe njëkohësisht pronare e klubit kolonjar. Sipas zëdhënësit të kompanisë “Taçi Oil International”, Milton Nushi, pjesë e delegacionit të Realit të Madridit që do të vijë në Shqipëri, do të jenë të gjithë yjet e ekipit spanjoll, përfshirë edhe Presidentin Florentino Perez. Mungesa e vetme do të jetë mesfushori malian Aliu Diarra, i cili do të luajë për përfaqësuesen e tij në Kupën e Afrikës, që zhvillohet këtë muaj. Kjo miqësore do të zhvillohet në kuadër të edicionit të tretë të trofeut “Taçi Oil International”. Në dy edicionet e para klubi i ftuar ishte Milani, ku në edicionin e parë të zhvilluar në tetor 2008 humbi me Tiranën 2-1, ndërsa në të dytin, në maj 2009, Milani fitoi me penallti pas barazimit 3-3 me Kombëtaren shqiptare.Pas italianëve, Reali është klubi i dytë më i madh në botë që vjen në Shqipëri. Kështu, në Tiranë do të zbresin yje si Kaka (erdhi edhe me Milanin), Kristiano Ronaldo, Raul Gonzales, Iker Kazijas, Karim Benzema e të tjerë.                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›