Çdo dhuratë e Lulit ka një kosto, disafishohen tarifat në hipoteka
Pak pasi Lulzim Basha shpalli se do jepte hipotekat për qindra apartamente në Tiranë, që kishin mbetur të bllokuara, qeveria vendos të disafishojë çmimet e shërbimit në hipoteka. Kështu,
qeveria ka vendosur dje të rrisë disa herë çmimet për dhënien e dokumenteve nga hipotekat. Certifikatat e pasurisë, pas hyrjes në fuqi të vendimit, do të kushtojnë 3.7 herë më shumë se sa tani. Dokumenti i tapisë, lëshimi i certifikatave të pasurisë, nga 400 lekë që kushton aktualisht, do të kushtojë 1500 lekë. Vendimi i qeverisë është propozuar nga dy ministrat, ai i Financave dhe i Drejtësisë. Një zë që pëson rritje të ndjeshme është fotokopjimi i dokumenteve. Kërkesa për fotokopje të dokumenteve të pasurive të paluajtshme, për çdo faqe, nga 50 lekë që kushton sot, do të kushtojë 200 lekë për faqe, pra rreth 4 herë më shumë. Kjo është një procedurë që pritet të sjellë shumë të ardhura për hipotekat, pasi shumë qytetarë që janë në procese gjyqësore apo në procese të kthimit dhe njohjes së pronës, kërkojnë mijëra faqe dokumente të tilla në hipotekë. Qeveria thotë se ky hap ndërmerret në prag të pavarësimit të hipotekave.