E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet java e kulturës çame, Idrizi: Është koha për bashkim

Çelet nesër java e kulturës dhe historisë së Çamërisë. Në një konferencë për shtyp, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ftoi të gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e javës së kultures çame duke theksuar se është koha që shqiptarët të bashkohen për ata të cilët u diskriminuan se ishin shqiptarë

“Shoqata "Çamëria", PDIU dhe Klubi i Patriotëve të Rinj ftojnë të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e aktiviteteve të Javës së Kulturës dhe Historisë së Çamërisë që do të zhvillohet nga data 25 deri më 30 qershor. Kjo është java ku të gjithë duhet të bashkohemi për të drejtat e një popullsie, e cila u diskriminua, masakrua dhe u dëbua, vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo javë shpalos kulturën, traditën dhe historinë, e një treve, pa të cilat kombit tonë do t`i mungonte një pjesë e identitetit të tij. Për këtë arsye, për herë të parë, çështja çame" dhe kultura e Çamërisë do të dalin nga sallat e mbyllura të konsumit të brendshëm, për t`u bashkuar me çdo shqiptar" shtoi Idrizi.
 

Gjithashtu, Idrizi bëri me dije edhe disa nga projektet që do të nisin punimet siç janë ndërtimi i varrezës monumentale në Kllogjer si dhe ndërtimi i kompleksit muzeal të Hasan Tahsinit dhe Bilal Xhaferrit në Ninat. ”Në Kllogjer, do të nisim një epokë të re, ku e shkuara do të gdhendet e pashueshme dhe e ardhmja do të marri një hov të ri. Një tjetër projekt madhështor do të gjejë zbatim në Ninat të Sarandës, ku do të nderohen figura të shquara të kombit si Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferri me një kompleks muzeal për shqiptarët e Çamërisë. Në ndjekje të hapave që ndoqën të shpërngulurit nga shtëpitë e tyre do të kryejmë marshimin e heshtur drejt Qafë Botës, ku tregojmë forcën e kombit tonë dhe vendosmërinë që shumë shpejt ne do të kthehemi në trojet tona” theksoi kreu i PDIU-së, Shpërtim Idrizi.
 

Java e kulturës dhe historisë së Çamërisë do të nisë nesër më datën 25 qershor dhe do të vazhdojë për 5 ditë me radhe deri më 30 qershor. Përgjatë gjithë javës janë planifikuar një sërë aktivitetesh të cilat nuk do të vendosin në qendër të vëmendjes dëshmitë e atyre që në moshë fare të vogël kanë parë masakrimin e të afërmve dhe janë detyruar të përshkojnë qindra kilometra nën armët e armiqve të tyre,në bukuritë dhe pasurinë historike të kësaj treve, në personalitetet e kombit tonë që janë nga Çamëria.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›