Çelsi-Mançester, derbi si një finale dhe mund të kemi një Real-Barça!
Është herdhur dje në Nion të Zvicrës shorti i vlefshëm për fazën e çerekfinaleve të Champions League dhe të Europa League. I pamëshirshëm Geri Lineker, anglezi që vuri përballë blutë e Ançelotit me djajtë e Fergusonit. Por, kjo Champions bëhet edhe më ngjethëse. Nëse Real Madrid e Barcelona arrijnë të kualifikohen, do të ndeshen mes tyre!
Çelsi-Mançester Junajtid! Padyshim që anglezët do të kenë ‘mallkuar’ nën vë dorën e Geri Linekerit, njeriut që nxorri goglat me emrat e dy pretendeteve më serioze nga ishulli për triumfin final të Champions League. Derbi anglez dhe derbi i dy ekipeve që në këtë dekadë kanë dominuar futbollin në ishull. “Çerekfinalja është Çelsi-Mançester” do të shkruante ‘The Sun’ menjëherë pas shortit, ndërsa ‘The Guardian’ i “qan” hallin Totenhemit që do të ndeshet me Real Madridin. Më të zhurshmën spanjollët dhe, në fakt jo vetëm ata. Çerekfinale të lehta për Realin e Barcelonës, por nëse të dyja gjigandet iberike arrijnë të kalojnë, do të ndeshen mes tyre. “Real-Barça në gjysmëfinale nëse eliminojnë Totenhem e Shakhtar”, shkruan ‘Marca’. Në Itali, “Gazzetta dello Sport” është në qejf. Interi ka ‘peshkuar’ një ekip si Shalke, pa eksperiencë në Europë dhe që mbahet vetëm nga Raul.
E menjëherë kanë nisur deklaratat e para. Presidenti i kampionëve të Europës, Interit, Masimo Morati kërkon që të mos etiketohet Shalke si një skuadër e thjeshtë për t’u kaluar. “Shalke është një skuadër që ka një traditë të rëndësishme. Është mbi të gjitha një skuadër gjermane. Do të jenë telashe për ne nëse i nënvlerësojmë.” Më pas, presidenti ka kujtuar finalen e Kupës UEFA të humbur pikërisht kundër gjermanëve. “Atë ndeshje duhej ta kishim fituar ne, pastaj ndodhi ajo që ndodhi dhe te penalltitë ishim të pafat. Kështu, nëse do të na duhet ta quajmë këtë ndeshje si atë të shpagmit, atëherë le ta bëjmë,” ka përfunduar Morati. Por nga ana tjetër, gjermanët e Shalkes ndjehen të sigurt për forcën e tyre. Portieri i Shalkes, Manuel Neuer, është i gatshëm që t’ia prishë planet Interit për kualifikim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi ndjen se zikaltërit nuk janë të pa mposhtshëm. “Ne po luajmë ndaj kampionëve aktualë kështu që do të jetë ndeshje shumë e vështirë për ne. Shorti ndaj Interit mund të jetë shenjë e mirë. Shalke ka kujtime të mira ndaj Interit nga finalja e UEFA-s e vitit 1997. Dhe, të luajmë ndeshjen e parë si mysafirë përbën përparësi për ne pasi Interi ka treguar se jo gjithmonë kjo është gjë pozitive, pasi ata u mundën në shtëpi nga Bajerni, por në Mynih fituan 3-2”, theksoi Nojer.
Guardiola bën të pakënaqurin
Trajenri i Barcelonës, Pep Guardiola nuk ishte aq i kënaqur pas shortit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, pasi do të ndeshet me ukrainasit e Shakhtarit. Ekipi ukrainas, siç dihet ka fituar në dy nga shtatë ndeshjet e zhvilluara me Barcelonën. “Nuk e kam dashur Shakhtarin sepse i njoh mirë dhe nuk më pëlqejnë si rivalë”, tha shkurt Guardiola. Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i ekipit ukrainas, Sergej Palkin tha se ekipit të tij do t’i ndihmojnë shumë informacionet që do t’iu ofrojë mbrojtësi Dmitro Çigrinski, i cili vitin e kaluar ishte pjesë e Barcelonës. Sipas tij, “në këto momente nuk ekzistojnë gjëra të vogla, as detaje të parëndësishme. Çdo imtësi, qoftë ajo edhe më e vogla, është me rëndësi”, tha Palkin.
Gjysma tjetër spanjolle në këtë short, pra Real Madridi, ka fërkuar duart kur ka parë Totenhemin përballë. Drejtori i Realit të Madridit, Emilio Butragenio i është gëzuar çiftimit mes ekipit të tij dhe londinezëve. Si një prej golashënuesve më të mirë të madrilenëve, Butragenio, më 1985, ka luajtur pikërisht kundër londinezëve të Totenhemit, në kuadër të Kupës UEFA dhe atëherë spanjollët kishin fituar si në Angli me rezultatin 1-0. “Më gëzon fakti që do të jem sërish në stadiumin ‘Ëhite Hart Lane”, kësaj here në rol tjetër. Mendoj se ky duel do të jetë fantastik, por edhe i vështirë për ne. Totenhemi ka disa futbollistë të shkëlqyer, pëfshi këtu edhe Rafael van der Vartin, i cili më parë ka qenë anëtar i ekipit tonë. Jam i sigurt se kjo do të jetë motiv shtesë për lojë të tij kundër Realit”, është i bindur Butragenio.
Derbi i Anglisë në Champions
Padyshim që Çelsi-Mançester është ndeshja më e nxehtë e këtyre çerekfinaleve. Trajneri italian i londinezëve, Karlo Ançeloti, shprehet se kjo është ndeshje e fortë dhe se ai nuk e ka pëlqyer rivalin që i nxorri shorti përballë, por edhe se nuk është aspak i zhgënjyer. “Për mendimin tim, nuk ka ka hakmarrje për finalen e humbur, sepse unë nuk kam qenë aty. Ndërsa për lojtarët nuk e di, nuk besoj se është një motivim i mirë hakmarrja,” tha Ançeloti, që më pas shtoi. “Motivim i mirë është të shohim përpara për të ardhmen. Kemi katër ndeshje për të arritur finalen në Londër dhe besoj se Çelsi do të mund të hakmerret për finalen e vitit 2008 vetëm nëse shkon në Ëembley. Nuk dua ta marrë në konsideratë të shkuarën, e shkuara është e shkuar dhe çdo ndeshje ka një histori të ndryshme. Na duhet ta përgatisim mirë këtë ndeshje, ne i njohim ata, ata na njohin neve. Këtu nuk ka surpriza,” deklaroi Ançeloti kur u njoh me kundërshtarin.