Çfarë do të hiqet sot?
Vazhdon shkatërrimi i "Marubit". Dje u hoq nga oborri i Akademisë ekrani i kinemasë verore. Në Parlament, deputetja Diana Çuli dënon qëndrimin e qeverisë. Palët e tjera heshtin
Puzzelit "Shkatërrimi i Marubit" dje i është vendosur pjesa e radhës.
Në mesditë shoqëria e punësuar nga "Albafilm Shpk" ka hequr nga oborri i Akademisë ekranin e kinemasë verore. Gjithçka ka ndodhur nën vështrimin e përlotur të studentëve të "Marubit" dhe njerëzve të tjerë që kishin ardhur për të mbështetur shkollën.
U desh shumë mundim për të hequr ekranin e kinemasë verore.
Dukej sikur natyra i kishte vendosur me porosi pemët pranë ekranit, si një formë proteste ndaj këtij akti. Më tepër se një orë iu desh punëtorëve për të shkatërruar ekranin me gjithë skelet.
Pa asnjë masë mbrojtëse njëri prej tyre u kacavjer deri në pjesën e sipërme për të shkëputur me darë të gjitha hallkat të cilat mbanin të mbërthyer bezen e bardhë ku në prill do të shfaqeshin filmat e Festivalit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut.
E ndërsa punëtori përshkonte gjithë gjerësinë e ekranit duke këputur unazat, studentët e shoqëronin duke kënduar këngë të njohura për mesazhet paqësore si "Imagine" të John Lennon apo "The Show must go on" nga "Queen".
Pastaj radha i erdhi skeletit të hekurt. Më shumë mundim iu desh punëtorëve për ta copëzuar.
Njësojë si një vrasës që pret me gjakftohtësi kokën e viktimës së tij ashtu edhe njerëzit e punësuar nga "Albafilm" prenë mes për mes ekranin e kinemasë. Gjithçka u shkatërrua, nuk ngeli asgjë nga kinemaja verore.
Gjatë gjithë kohës që zgjati ky shkatërrim të bënte përshtypje qetësia që ruajtën studentët.
Ata kanë preferuar që këtij akti të turpshëm që po i bëhej shkollës së tyre t'i përgjigjen duke kënduar dhe kërcyer. Edhe heqjen e ekranit nga oborri e kanë shoqëruar me duartrokitje dhe tinguj të muzikës franceze.
Një hap jashtë "Marubit" qëndronin në gatishmëri një gardh i tërë me policë të shtetit dhe privatë.
Në njërën anë të skenës ku prej gjashtë ditësh luhet ky teatër gjendej regjisori Kujtim Çashku dhe studentët të cilët dokumentonin nëpërmjet kamerave çdo sekondë të këtij dhunimi. Në anën tjetër, në verandën e ndërtesës së Kinostudios, drejtori i "Albafilm", Fatmir Musaj tymoste i qetë cigare.
Studentët ishin të vetëm në këtë ditë të trishtueshme. Asnjë figurë politike, civile apo e artit nuk ishte aty.
Pothuajse në të njëjtën kohë që në periferi të Tiranës, në zonë e ish-Kinostudios ndodhnin këto ngjarje në qendër të qytetit në Parlament, pati diku një zë të humbur, të vetëm që i doli në mbrojtje (me fjalë), regjisorit Kujtim Çashku.
Gjatë fjalës së saj në seancën e paradites, deputetja e PSD-së dhe njëkohësisht anëtarja e Komisionit të Medias dhe të Mjeteve të Informimit Publik, Diana Çuli, e cilësoi dhunimin e Akademisë "Marubi" si provën e fundit të dështimit të reformës liberalizuese të sistemit universitar.
"Kjo klimë, në fushën e arsimit dhe të kulturës filloi me shkatërrimin e Akademisë së Shkencave, me mosrespektimin e ligjit të saj, me kufizimet e TVSh-së që u vihen librave artistikë, e gjithfarë kufizimesh të tjera",- u shpreh Çuli.
Përpos të gjitha kontrakditave dhe konflikteve ligjore, marrja në komisariat e rektorit të "Marubit" ajo e quajti sjellje diktatoriale.
Çuli ka vazhduar më tej me argumentin se në Shqipëri u dhurohen në emër të zhvillimit me mijëra hektarë tokë bizneseve të ndryshme pa qira gjë që ndryshon kur vjen radha e zhvillimit të arsimit dhe të kulturës.
"Pse nuk mendoheni një grimë, pse nuk uleni në tryezë dhe jo në komisariat, pse nuk dialogoni, po dërgoni fadromat dhe rrëzoni punimet e artit?
Nëse dëshironi që ta ndani ish-Kinostudion me privatë të tjerë, përveç Akademisë së Filmit, përse nuk i ulni të gjithë pretendentët në tryezë, përse nuk ndërhyni si shtet, duke peshuar prioritetet, rëndësinë dhe kushtet që ofron secili e ta zgjidhni këtë çështje në mënyrë të civilizuar e pa uniforma policie?"-, ka pyetur përfaqësuesit e qeverisë Çuli.
Kjo ndodh sepse ata nuk duan të respektojnë arsimdashësit dhe kulturëdashësit që kontribuojnë në demokratizimin e shoqërisë dhe në përparimin e saj është përgjigjur vetë ajo.
"Ndoshta më mirë e më komod një popull pa tru, se njerëz të shoqërisë civile, artistë, gazetarë, punonjës socialë, intelektualë, që kanë mendje të pavarur.
Të gjitha ligjet shtrënguese, pa precedent në botë, që kini hartuar me shumë këmbëngulje për shoqatat, të cilat po i mbysni në taksa e detyrime të tjera financiare, sikur të ishin biznese, ndërsa bizneset po i favorizoni duke iu falur copa Shqipërie",- u shpreh shkrimtarja.
Me tej ajo e ka mbyllur fjalën e saj duke shtuar se me ritmin që ka marrë lufta e qeverisë ndaj shoqërisë civile në këtë vend shumë shpejt do të jetë e vështirë të gjendet më ndonjë shoqatë a shkollë kulture.
Intervista / Deputeti Marko Bello deklaron se do të mbështesë çdo qytetar apo institucion që i cënohet e drejta, por ngre supet kur pyetet për një reagim konkret ndaj çështjes "Marubi" - Qeveri
Bello: Qeveria, hakmarrje primitive ndaj "Marubit"
Për deputetin dhe anëtarin e Komisionit të Medias dhe të Mjeteve të Informimit Publik, Marko Bello, sjellja e qeverisë ndaj akademisë "Marubi" është hakmarrje primitive.
Një ndërhyrje të tillë ai e sheh si një sjellje diktatoriale.
Bello shpreh qëndrimin e tij dhe të institucioneve që përfaqëson në lidhje me çështjen "Marubi".
Zoti Bello, si i komentoni ngjarjet e fundit në Akademinë "Marubi"?
Unë mendoj që problemet që mund të jenë dhe që kanë të bëjnë me rregullime juridike të kontratave të marrëveshjeve mund të zgjidhen në mënyrë të qytetëruar.
Qeveria duhet të jetë e vëmendshme dhe më e kujdesshme ndaj artit dhe kulturës në Shqipëri. Sidomos në këtë kohë krize, ku për fat të keq shumë pak fonde akordohen për artistët shqiptarë.
Një institucion privat, i cili në fund të fundit përgatit brezat e ardhshëm në fushën e artit, meriton më shumë respekt dhe jo të trajtohet sikur të ishte një keqbërës, një njëri i ndjekur nga drejtësia.
Prandaj them se duhet pasur kujdes të mos përdoret dhuna por përkundrazi të respektohet kultura dhe të gjithë ata njerëz jetën e tyre ia dedikojnë përgatitjes së brezit të ardhshëm të artistëve.
Si i gjykoni pretendimet e regjisorit dhe rektorit Kujtim Çashku?
Zoti Çashku nuk do ta marrë në kurriz atë territor për ta çuar diku tjetër. Ai aty do të mbetet.
Zoti Çashku, me sa di unë, nuk ka pretendime apo interesa personale për atë vend. Këtu bëhet fjalë për disa kushte që qeveria duhet të thotë nëse është dakord apo jo.
Ne duam që të dimë nëse qeveria ka dëshirë të ketë shkolla filmi dhe të kulturës në vend apo s'do. Ne do të mbështesim çdo qytetar të Shqipërisë të cilit i shkelen hapur të drejtat dhe në mënyrë brutale. Ne gjithmonë do të jemi në anën e qytetarëve dhe jo vetëm të institucioneve.
Konkretisht çfarë do të ndërmerrni?
(Ngritje supesh)
Është e ligjshme që një qeveri të akreditojë një universitet dhe të mos i njohë vendin në të cilin ai funksionon?
Unë kam frikë se kjo është një hakmarrje nga segmente të qeverisë, hakmarrje primitive dhe besoj se edhe ata do t'i thërresin arsyes me qëllim që këto forma presioni dhe hakmarrjeje të marrin fund. Jemi një vend që pretendojmë të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe të BE-së dhe nuk mund të sillemi sikur të ishim në diktaturë.
Pse mendoni se qeveria i ka zvarritur gjërat deri në këtë pikë?
Me sa di unë, ish- kryeministri Nano ka qenë dakord që në fillim që të ngrihet një shkollë.
Z. Çashku si një personalitet i kulturës meriton të ndihmohet nga qeveria kundrejt një pagese minimale apo edhe një qiraje të papërfillshme. Njësoj si jepet edhe në raste të tjera të kësaj natyre, si me disa media për t'i ndihmuar. Shoqëria ka nevojë për mediat e lira dhe të pavarura.
Në të njëjtën mënyrë mund t'i jepet edhe një grupi artistësh që duan të krijojnë një shkollë private në drejtim të kulturës. Unë kam frikë se ne të gjithë si klasë politike jemi borxhlinj të mëdhenj ndaj njerëzve të artit dhe të kulturës dhe nuk duhet të sillemi në këtë mënyrë
Çfarë do të ndodhë me Akademinë "Marubi"?
Unë kam besim se qeveria do të sprapset dhe akademia "Marubi" do të prosperojë, do të ecë përpara.
Vepra arti me rrënojat e "Marubit"
Akademia e Filmit dhe e Multimedias "Marubi" fton nesër në orën 10:00 të gjithë artistët e rinj në konkursin e instilacionit që do të zhvillohet në oborrin e saj.
Krijimet do të realizohen duke përdorur materialet e ish-instalacioneve të Akademisë, që disa ditë më parë u shkatërruan nga policia.
Krijimi duhet të përfundojë brenda orës 19:00 dhe do të jenë profesorët Gëzim Qendro, Elvis Hoxha e Krenar Zejno që shpallin çmimin e parë.