Bumçi: Raporti i DASH, kopje e KE-së
Debate në Kuvend për raportin e DASH. PD shkon deri aty sa ta konsiderojë raportin të kopjuar
TIRANË- Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Shqipëri ka shkaktuar debate të forta edhe në seancën e djeshme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku mazhoranca dhe opozita e kanë lexuar në mënyrë të ndryshme përfundimet që konstatoheshin në të. Deputetët e Partisë Socialiste duke iu referuar pikërisht konstatimeve që bënë ky raport kanë akuzuar maxhorancën se në mënyrë të dukshme po rrit presionin mbi sistemin e drejtësisë, duke iu imponuar asaj për një sërë çështjesh të nxehta, ku pikërisht qeverisja është nën hetim. Duke folur në emër të grupit deputeti socialist Marko Bello, theksoi se raporti shpreh qartë se ligji i dosjeve shkakton konflikt të hapur mes qeverisë dhe sistemit gjyqësor. "Në këtë raport është komentuar edhe ligji i shumë përfolur i dosjeve, i cili konsiderohet si i formuluar me terma të mjegullta. Ndërkohë, DASH ka bërë të ditur se ligji i lustracionit prek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe si rezultat shkakton konflikt mes qeverisë dhe sistemit gjyqësor. Raporti thekson edhe faktin se ky ligj i jep liri veprimi qeverisë, në lidhje me shkarkimet e zyrtarëve", - u shpreh Bello. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i shumicës qeverisëse e cila nuk ka nguruar ta atakojë përmbajtjen e këtij raporti si jorealiste. Sipas deputetit demokrat Aldo Bumçi raporti i DASH nuk pasqyron zhvillimet e 2008-ës, por është një kopje e raportit të Këshillit të Europës për vitin 2007. "Raporti i DASH nuk ka pasqyruar ndryshimet që kanë ndodhur në 2008, por i referohet raportit të Këshillit të Europës në 2007", - u shpreh Bumçi. Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës, Bumçi ka theksuar se qeveria, sipas tij, ka pasur rezultate të paimagjinueshme në luftën kundër korrupsionit dhe të vënies përpara drejtësisë të një numri të madh punonjësish të administratës të cilët kanë tentuar të keqpërdorin vendin e tyre të punës për interesa të pista.