Çfarë është përplasja Berisha-Rama?
Kultura politike shqiptare dhe klasa politike e dalë prej saj, nuk mund të analizohen pa marrë në konsideratë transformimin apo metamorfozën e shoqërisë nga një "shoqëri publike" në një "shoqëri Mase". C. Right Mills, një ndër politologët më të famshëm dhe studiues i elitës së pushtetit, thekson se në një "publik", komunikimi është i bazuar në dhënie dhe marrje opinionesh, të cilat jo vetëm marrin përgjigje adekuate, por, rrjedhimisht, paraqiten gjerësisht para publikut për vlerësim.
Nga ana tjetër, në një shoqëri "Mase", komunikimi predominant është komunikimi përmes medias formale dhe vetë publiku konsiderohet si tregu i medias. Ky komunikim ka vetëm një kah lëvizje, atë të përçimit të opinionit nga media tek Masa. Rrjedhimisht, shoqëria varet nga dhe bëhet viktimë e propagandës mediatike. Por media nuk është vetëm një shkaktar i transformimit të publikut në Masë. Një pjesë e saj është e lidhur ngushtë me klasën politike apo elitën e pushtetit. Një fenomen i tillë vihet re edhe në ambientin politik shqiptar. Ndaj, politika shqiptare mund të konsiderohet si mbartëse e dhe rezultat i bashkëveprimit të tre elementëve kryesorë: (1) Klasës politike, (2) Masës popullore, dhe (3) Medias.
Në studimet e tyre mbi klasën politike (elitën e pushtetit), Gaetano Moska, Vilfredo Pareto, Robert Michels, dhe Robert Putnam theksojnë se kjo klasë është homogjene për shkak të funksionit shoqëror që ajo kryen, por kjo nuk do të thotë që elementët brenda kësaj klase politike posedojnë të njëjtin sistem vlerash dhe motivesh, pasi edhe grupimet shoqërore që këta elementë përfaqësojnë, nuk ndajnë të njëjtat interesa dhe statuse shoqërore.
Përçarja brenda klasës politike vjen si rezultat i atij fenomeni të paevitueshëm (i artikuluar nga Moska dhe i detajuar nga Pareto) që njihet si "qarkullimi i elitës" dhe përfaqësimit në politik i grupimeve të reja shoqërore, çka sjell rrjedhimisht mentalitet dhe vlera të reja politike.
Për sa i përket klasës politike shqiptare, ne mund të theksojmë se qarkulli i elitës këto vitet e fundit ka krijuar një krizë brenda klasës politike për shkak të përplasjes midis dy rrymave tërësisht të ndryshme brenda saj, të ndryshme si në aspektin e sistemit të vlerave, ashtu edhe në filozofinë politike dhe interesat që ato përfaqësojnë. Këto dy rryma janë etiketuar si "politika e vjetër" dhe "politika e re", dhe janë të përfaqësuara, respektivisht, nga Kryeministri në detyrë z. Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama. Në fjalët e Gramshit, kjo situatë mund të konceptohet si krizë e hegjemonisë, krizë e autoritetit, ose krizë e shtetit. "Politika e vjetër" kërkon të ruajë sistemin e vjetër të vlerave dhe të filozofisë politike, duke mbrojtur në të njëjtën kohë interesat e saj politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, "politika e re" kërkon sjelljen e një sistem të ri vlerash dhe implementimin e një filozofi politike krejt ndryshe nga ajo e vjetra.
Ndaj, përplasja Berisha-Rama nuk duhet të konsiderohet thjesht si një përplasje për pushtet politik të rëndomtë, por duhet konsideruar si një përplasje midis dy sistemeve vlerash dhe filozofish politike krejtësisht të ndryshme, deri diku edhe të kundërta. Si thekson edhe Artur E. Bentley, lidershipi i një force politike nuk është individual. Ai është fondamentalisht çështje e një grupimi të caktuar individësh më një sistem të caktuar vlerash dhe besimi, dhe me një tërësi interesash të mirëkonceptuar. "Politika e re" nuk mund të konsiderohet si një politikë që synon një post politik, qoftë ky post kryeministror apo presidencial. Ajo nuk është një politikë që lind dhe vdes gjatë dhe në një pal(o) zgjedhje. Ajo është një politikë që aspiron dhe synon të zëvendësojë sistemin e vjetër të vlerave dhe filozofinë e vjetër politike me një sistem vlerash dhe filozofi politike tërësisht të re dhe ndryshe.
Për sa i përket Masës, ajo mund të perceptohet si një tërësi grupimesh, aktiviteti i të cilave normohet dhe kontrollohet nga aparati i shtetit përmes klasës politike, pushteti i së cilës buron nga vullneti dhe konsensusi i Masës për t'u qeverisur. Në Masë mund të futen klasa intelektuale, fshatarësia, pensionistët dhe të gjitha ato grupime, përbërësit e të cilave ndajnë interesa dhe statuse shoqërore të njëjta. Fatkeqësisht, Masa e ka të domosdoshme qeverisjen nga një klasë politike për shkak të potencialit drejtues që ajo ka, tendencës së klasës politike për t'u organizuar dhe konsoliduar interesat e saj, admirimin e masës për liderët, dhe paaftësisë së Masës për t'u organizuar. Michels-i beson tek "ligji i hekurt i oligarkisë," i cili pretendon se, pavarësisht se sa demokratik apo autokrat mund të jetë një organizim në fillim, ai në mënyrë të paevitueshme do të transformohet në oligarki.
Pavarësisht natyrës së saj, në një sistem politik demokratik, Masa jo vetëm mandaton një klasë politike për të qeverisur interesat e saj, por ka mundësinë që në mënyrë periodike të shpërblejë ose ndëshkojë klasën politike në varësi të performancës së saj. Lëvizjet sociale dhe rinovimi i elitës së pushtetit është një fenomen i patjetërsueshëm dhe i pandalueshëm në një shoqëri demokratike. Por, më shumë se një aftësi e Masës, ndëshkimi dhe ndryshimi i klasës së vjetër politike vjen nga përplasja e saj me klasën e re politike. Suksesi i këtyre dy grupimeve politike në këtë përplasje varet nga mbështetja që ata do të marrin nga Masa. Duke e parë rëndësinë jetike që ka mbështetja nga Masa, grupimet kundërshtare brenda klasës politike fillojnë përpjekjet për të fituar ose manipuluar besimin e Masës.
Parë nga ky këndvështrim, media mund të cilësohet si një instrument që përdoret nga klasa politike për të vendosur diktatin brenda llojit dhe për të manipuluar dhe dominuar Masën popullore. Kjo bëhet e mundur përmes gjenerimit në media të sa më shumë lajmeve dhe analizave politike që dëmtojnë moralisht dhe politikisht kundërshtarin politik, dhe duke promovuar në media analistë, të cilët sulmojnë njërën palë në mënyrë intensive, të vazhdueshme dhe agresive. Të qenit intensive, e vazhdueshme dhe agresive, e transformojnë përçimin e informacionit tek Masa në formën e një propagande politike. Propaganda konsiderohet si mënyra më efikase për të ndryshuar psikologjinë përmes së cilës masa koncepton realitetin politik. Rrjedhimisht, përmes propagandës, media synon që të ndryshojë perceptimin e realitetit politik nga Masa në funksion të interesave të klasës politike që media i shërben apo mbron.
Përplasja e "politikës së vjetër" me "politikën e re", apo përplasja Berisha-Rama, nxjerr në pah rolin e medias në ambientin politik shqiptar. Para, gjatë, dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, media dhe analistët e saj u përfshinë (dhe janë të përfshirë) në një mision që mund të etiketohet si "kryqëzata antiRama". Analizat, si në median e shkruar edhe atë vizive të evenimenteve, aktorëve, dhe faktorëve politikë, bashkoheshin në një refren të përbashkët antiRama, gjë që i hoqi procesit politik mediatik ndershmërinë, drejtësinë dhe pavarësinë. Në asnjë rast analizat në media nuk "recituan" refrenin e standardeve ligjore të shkelura gjatë kësaj periudhe, por ata u fokusuan vetëm në sulmet kundër liderit Socialist, z. Rama dhe largimin e tij nga PS-ja dhe politika.
Ky portretizim realitetit politik u shërben interesave të klasës politike të vjetër shqiptare për dy arsye. E para ka të bëjë me faktin se përmes kësaj propagande, këtyre pseudo-analizash, dhe manipulimi të realitetit politik, klasa e vjetër synon të legjitimojë dhe racionalizojë në sytë e Masës popullore qëndrimin e saj në pushtet. Arsyeja tjetër ka të bëjë me faktin se, duke manipuluar perceptimin e realitetit politik nga Masa dhe duke legjitimuar dhe racionalizuar qëndrimin në pushtet, klasa e vjetër politike tenton të mposhtë lëvizjen e "politikës së re" përmes verdiktit dhe vullnetit të manipuluar të Masës.
Por cili do të jetë rezultati i kësaj përplasjeje? Pavarësisht bazave dhe konjukturave të vendosura nga "politika e vjetër", apo nga kasta politike e dalë prej saj, këto dy dekada të post-komunizmit shqiptar, triumfi i "politikës së re" është i paevitueshëm. Triumfi i politikës së re ka të bëjë me nevojën që ka shoqëria shqiptare për të krijuar një klasë politike të re, që të promovojë, përfaqësojë, dhe mbrojë interesat e saj dhe me ndëshkimin që kjo shoqëri i bën mënyrës se si klasa politike e vjetër ka qeverisur vendin këto 20 vite post-komunizmi. Roli medias dhe propaganda e saj do të vazhdojë të jetë i njëjtë, por pa efektshmërinë e mëparshme.
Dhe vjen në mendje thënia: "O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd!...Një njëri mund të mashtrojë një tjetër për një kohë. Mund të mashtrojë edhe një popull për një farë kohe. Por nuk mund të mashtrojë [kurrë] një popull të tërë për gjithë jetën!"