E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezistencë demokratike ndaj një farse

Sot ne patëm mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar dhe diskutuam për t'i dhënë formën përfundimtare një qëndrimi të iniciuar në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, më pas të formësuar në kryesinë e partisë, por që në të gjitha rastet kërkonte edhe vendimmarrjen e grupit. Grupi parlamentar ka vendosur që PS për të gjitha ato arsye dhe argumenta që kemi bërë publike vijimësisht dhe që janë të shkruara e zeza mbi të bardhë në rezolutën e Asamblesë dhe pastaj të Kongresit të Jashtëzakonshëm të ndërtojë një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë parlament.
Ky parlament është një institucion me legjitimitet të cunguar, për shkak se është produkt i një maskarade zgjedhore, i një palë zgjedhjesh për të cilat ne bëmë gjithçka ishte në dorën tonë, që të shënonin ndarjen përfundimtare me traditën e shëmtuar, të zgjedhjeve një hap përpara dhe dy hapa mbrapa, por që për fat të keq dhe falë vullnetit të mbrapshtë të Sali Berishës, përmes një makinerie elektorale shtet - pushtet të bërë njësh dhe i një fuqie abuzive të kudondodhur, shënuan një dështim, një shans historik të humbur për Shqipërinë dhe pa asnjë dyshim një moment që na detyron si opozitë në këtë vend, që jo vetëm të ngremë zërin, por të bëjmë çdo përpjekje për të vendosur në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë që 28 qershori të mos përsëritet më dhe që ata që e projektuan dhe e realizuan 28 qershorin të mos kenë më mundësi ta përsërisin.
Ashtu sikundër ndërkohë na detyron që të gjithë popullin opozitar përtej të majtës dhe të djathtës, jo vetëm atyre që votuan për PS apo për koalicionin tonë, por edhe atyre që nuk votuan për këtë koalicion, por për të tjera parti që njësoj janë dëmtuar nga kjo farsë zgjedhore të marrë atë që i takon, qëndrimin e rreptë të opozitës ndaj një krimi zgjedhor. Dua të theksoj që ky nuk është një bojkot në kuptimin tradicional dhe me përmbajtjen primitive që ka pasur bojkoti në kohën kur Sali Berisha braktiste parlamentin. Ky është një qëndrim që kushtëzon hyrjen e PS në parlament.
Ky është një qëndrim që kërkon të vendosë në qendër të vëmendjes së opinionit publik të gjitha ato çështja që kanë të bëjnë me problematikën e rëndë zgjedhore dhe që kërkon transparencë dhe zbardhje të krimit zgjedhor. Qëllimi ynë nuk është të ndryshojmë rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë, por është të nxjerrim në pah gjithçka që ka të bëjë me maskaradën zgjedhore në mënyrë që të krijojmë kushtet për të eleminuar shkaqe, të cilat do të mbeten shkaqe dhe do të shkaktojnë përsëritjen në përmasa edhe më të rënda të kësaj maskarade, në rast se PS dhe e gjithë opozita, të gjitha forcat politike dhe shoqërore në opozitë me, Sali Berishën, me Ilir Metën dhe me Fatos Nanon dhe me të gjithë këtë farsë, nuk rezistojnë. Kjo është rezistencë demokratike ndaj një farse.
Ne nuk mund të bëhemi fasadë në një parlament, i cili nuk e gëzon legjitimitetin e plotë dhe nuk i njohim kësaj shumice të drejta që të vendosë për ne, duke shkelur liri dhe të drejta që u takojnë qytetareve dhe qytetarëve të këtij vendi, që i takojnë opozitës dhe që kanë të bëjnë me transparencën e procesit zgjedhor, me transparencën e dokumentacionit zgjedhor, me domosdoshmërinë për ndëshkimin e atyre që organizuan operacionin kriminal të nxjerrjes së të burgosurve për krime të rënda dhe mundësuan përfshirjen e tyre në skalionet elektorale të Sali Berishës, me abuzimet e skajshme me asetet publike dhe me median publike për qëllime të pushtetit Sali Berishës, me përndjekjen në kuptimin më të mirëfilltë të kësaj fjale të të gjithë atyre që për shkak se janë afishuar si opozitarë apo kanë marrë pjesë në aktivitete opozitare largohen arbitrarisht nga puna dhe hidhen rrugëve, jo sikur të ishin qytetarë dhe qytetare me të drejta dhe liri të barabarta në këtë vend që është një republikë në BE, por sikur të ishin skllevër të një sulltanati.
Këtë ne nuk mund ta lejojmë të kalojë duke i hapur rrugë një normaliteti fals. Ky parlament i ka të gjitha mundësitë të vendosë një marrëdhënie e cila duhet të synojë në radhë të parë eliminimin e të gjitha shkaqeve, që i transformuan zgjedhjet e 28 qershorit nga një shans në një dështim, nga një mundësi për Shqipërinë, në një trampolinë për Sali Berishën dhe Ilir Metën që papritur e pakujtuar për shumëkënd të shfaqen si një formë e re e një pushteti të vjetër, si një çift i ri i një politike të vjetër, si një rezultante e transformimit të politikës, në një mashtrim të mirëfilltë publik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›