Çfarë fshihet pas Qendrës Kulturore të Ushtrisë?
Hajro Limaj/Ish-këshilltar i ministrit të Mbrojtjes
Ditët e fundit problemi që ka lindur me Qendrën Kulturore të Ushtrisë në Tiranë është kthyer në një nga lajmet kryesore të medias së shkruar dhe asaj televizive. Sot për këtë çështje kishte shkruar edhe BBC-ja me qendër në Londër. Shkak i këtij diskutimi është vendimi i Këshillit të Ministrave për tjetërsimin e kësaj pasurie kombëtare dhe kthimin e saj nga një Qendër Kulturore e Ushtrisë, në seli të Partisë Demokratike. Dhe vendimi që është marrë, nuk është transparent, por në fshehtësi të plotë. Shkak i këtij qëndrimi ishte reaksioni që do të ngjallte në opinionin e përgjithshëm, por veçanërisht në atë të Forcave të Armatosura. Dhe kështu ndodhi. Me t’u mësuar ky vendim shpërtheu media dhe shoqatat e ushtarakëve, të cilat bënë edhe një tubim brenda ambienteve të kësaj qendre. Denoncuan padrejtësitë e këtij vendimi dhe u zotuan se do të përdorin të gjitha rrugët demokratike që ky vendim të mos zbatohet, duke i paralajmëruar që të mbajnë “larg duart nga Shtëpia Qendrore”..Midis këtyre përplasjeve u qartësua se shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Gjunkshi nuk ka firmosur për këtë tjetërsim. Po kështu, rezultoi se edhe komandanti i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, i cili në mbështetje të ligjit nr. 9194, datë 19.02.2004 “...miraton planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje”, nuk ka firmosur një urdhër të tillë. Ministrja që pritet të vijë në krye të Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli deklaroi se Qendra Kulturore e Ushtrisë do t’i rikthehet Ministrisë së Mbrojtjes, pasi është marrë një vendim i kundërligjshëm.
Por është për t’u çuditur. Përse atëherë qeveria në ikje merr një vendim kaq të kundërligjshëm dhe të pamoralshëm?.Pse e ul veten kaq poshtë, duke vërtetuar se për të, në rend të parë janë interesat e partisë që përfaqëson dhe jo interesat kombëtare? Edhe me këtë vendim jo transparent ajo shtoi dhe përforcoi mendimin e krijuar për të si një forcë politike që nuk i ka mbështetur ushtarakët për zbatimin e statusit ligjor të tyre. Shtëpia Qendore e Ushtrisë është e vetmja qendër kulturore e saj. Në ambientet e saj zhvillohen të gjitha veprimtaritë social-kulturore të ushtarakëve aktivë dhe në rezervë. Qeveritë kanë për detyrë që këtë qendër ta modernizojnë dhe ta bëjnë sa më bashkëkohore dhe jo ta kthejnë në seli partie, të cilat kanë shumë përgjegjësi për gjendjen me të cilën përballen ushtarakët e vendit. Aty bëhen promovime librash, përkujtohen ngjarje heroike të luftës dhe të mbrojtjes së vendit, aty nderohen ushtarakët e lartë kur ndahen nga jeta, aty kryhen ceremonitë e dekorimit të ushtarakëve në rezervë e lirim, aty përkujtohen ditët e krijimit të Forcave të Armatosura dhe të shërbimeve të tyre, aty takohen ushtarakët e moshuar dhe pinë kafenë e dhembshurisë për jetën e tyre plot ngarkesa. Prandaj nuk ka askush të drejtë t’i kërkojë kryeministrit në ardhje, z. Edi Rama të mos anulojë këtë vendim antiligjor.
Merakun, deputeti Edi Paloka të mos e ketë tek mundësia e anulimit të vendimit, por te zbatimi i ligjshmërisë që është shkelur me të dyja këmbët. Por ditët e fundit po qarkullojnë disa informacione të tjera. Kalimi i Qendrës Kulturore të Ushtrisë Partisë Demokratike është i përkohshëm, pasi atje është parashikuar që të ndërtohen 4 kulla të mëdha. E njëjta gjë do të bëhet edhe në territorin e ish-shkollës së Bashkuar, ku po punohet pa transparencë për të ndërtuar një qytezë banimi. Ky problem është diskutuar një herë në vitin 2000, kur ishte ministër Mbrojtjeje z. Hajdaraga, kohë të cilën një firmë e fuqishme turke e parashtroi për herë të parë. Por z. Hajdaraga me ekipin e tij e vlerësuan të pamundur. Ndoshta këtij projekti i janë rikthyer të pangopurit që po drejtojnë akoma Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe këto informacione jepen nga brenda ministrisë. Prandaj ministrin Imami e vlerësojnë si ministrin më negativ që ka drejtuar këtë ministri dhe është domosdoshmëri që për problemet madhore që janë diskutuar në Kuvend dhe në media, menaxhimi i kësaj ministrie duhet të kalojë në filtër. Ndërkohë që ndaj shkelësve të ligjit duhet të vendosin organet e pushtetit gjyqësor, ndërsa prona dhe të drejtat e saj t’i kthehen pasurisë publike.