Çfarë i mundon gratë? Intrigë dhe pasion në Metropol
Teatri “Metropol”, duke filluar që sot, do të shfaqë për spektatorin kryeqytetas dy shfaqje njëkohësisht: “Lagjja 45”, me regji të Gent Bejkos; dhe “Çdo të hënë në orën 13.30”, me regji të Renada Cacit
Një lagje… shumë banorë, dashuri, alkool dhe një qime thashethem që bëhet tra. Intrigë, pasion dhe energji të djegura kot, në tri ditë të nxehta vere, ku gjithçka vlon dhe jo vetëm prej vapës. Një histori e bazuar në një ngjarje të vërtetë, ku emrat e personazheve trillohen për të ruajtur anonimatin. “Lagjja 45”, komedi me regji të Gent Bjekos, do të përballet në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë me tri femra joshëse që ftojnë publikun “Çdo të hënë në orën 13.30”, për të kuptuar se çfarë thonë femrat rreth meshkujve kur këta të fundit nuk janë prezent. Teatri Metropol, duke filluar që sot, do të shfaqë për spektatorin kryeqytetas dy shfaqje njëkohësisht: “Lagjja 45”, me regji të Gent Bejkos; dhe “Çdo të hënë në orën 13.30”, me regji të Renada Cacit. “Fjala stinë artistike e ka humbur nocionin e vet, sepse tashmë vera nuk është më periudhë pauze dhe periudhë rigjenerimi për një stinë tjetër, për fillimin e një sezoni tjetër. Këtë e dëshmon më mirë fakti se nesër në Teatrin Metropol do të nisë stina artistike 20011-2012, por puna për të ka filluar muaj më parë. Do kemi dy shfaqje njëkohësisht, një ngjarje kjo jo e zakonshme në jetën artistike të kryeqytetit. Në sallën “Shekspir” regjisori i ri i afirmuar Gent Bejko dhe me një ekip të zgjedhur prej tij do të performojë shfaqjen “Lagjja 45”. Dhe në sallën “Bodrum” regjisorja Renada Caci ju fton me shfaqjen “Çdo të hënë në orën 13.30”, tha drejtori i Teatrit Metropol, Kiço Londo.
Regjisori Gent Bejko: Një lagje tipike shqiptare
Regjisorit Gent Bejko i janë dashur 45 ditë kërkime për projektin e tij, për të gjetur skenarin e më pas aktorët. Pjesa e tij “Lagjja 45” është frymëzuar nga jeta e përditshme e gjithsecilit në punë, lagje, familje etj. “Pjesa është e mbështetur në një ngjarje që e gjejmë rëndom në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe jo vetëm në Tiranë. Personazhet që interpretohen janë karaktere që i kemi në lagje, në punë: ata janë komshinjtë tanë, miq, shokë, njerëz të ndryshëm që na rrethojnë. Ngjarja bazohet mbi një thashetheme, i cili transformohet e nga një qime bëhet tra, aty ku nga një keqkuptim i vogël lind një konflikt i madh. “Lagjja 45” është një lagje e të gjithëve ne. Një komedi e zezë situate, e improvizuar nga vetë aktorët, me ide dhe regji nga Gent Bejko.
Regjisorja Renada Caci: Zbuloni se çfarë mendojnë femrat
“Çdo të hënë në orën 13.30”, quhet pjesa që në fakt është tema ime e diplomës së regjisurës. Pata një eksperiencë të shkëlqyer me tre aktorët dhe mendova që në këtë fillim sezoni ta sillnim edhe për publikun kryeqytetas”- u shpreh regjisorja e re Renada Caci. “Çdo të hënë në orën 13.30” është një pjesë vetëm rreth femrave, por që meshkujve me siguri u intereson shumë. Kjo pjesë na zbulon se çfarë bëjnë dhe bisedojnë gratë kur burrat nuk janë prezent. Mospërmbushja seksuale dhe dyshimet për identitetin seksual. Karriera dhe pengesat që sjell maskilizmi i shoqërisë. Çfarë i mundon gratë? Çfarë duan ato? Çfarë bëjnë për të arritur atë që duan? A u largohen frikërave të tyre apo i luftojnë ato? Ambicia për pavarësi dhe dilemat për humbjen e saj kur je në një marrëdhënie. Dëshira për t’u bërë nënë dhe frika se mos përfundon të bëhesh një shtëpiake e rëndomtë. “Çdo të hënë në orën 13.30”- rrëfen të gjitha problemet tipike të grave beqare, të arsimuara dhe profesioniste, të cilat nuk gjejnë dot një rrugëdalje për vetminë e tyre, të cilat e gjejnë mbështetjen e tyre vetëm te njëra-tjetra. Shkruar nga Sara Bogati, me regji të Renada Cacit, në këtë pjesë do të interpretojnë aktoret Erjola Meta, Flonja Kaba dhe Xheni Hallulli.
Një mbrëmje dy mundësi
Nëse jeni spektator i shfaqjes “Lagjja 45”, mund të shkëputesh pak minuta e të zbresësh nga “Shekspiri” në “Bodrum”, për të dëgjuar se çfarë kanë për të thënë femrat. Bileta është e vlefshme për të dyja shfaqjet. Dy regjisorët nga ana e tyre e kanë mirëpritur këtë projekt të Teatrit Metropol. “Është një risi e teatrit Metropol, që hap sezonin me dy shfaqje njëkohësisht dhe kjo hedh poshtë idenë e jetës së varfër kulturore në kryeqytet. E vërteta është se ka projekte dhe jo e kundërta, por e rëndësishme është që projektet tona të ngjallin interesin e mediave dhe shteti duhet të jetë akoma më përkrahës në iniciativa të tilla dhe të ketë më shumë politika përsa i përket projekteve të të rinjve” - përkrah këtë iniciativë regjisori Gent Bejko. “Lagjja 45” do të jetë në sallën "Shekspir" në datat 15, 16, 17,18, 22, 23, 24, 25 shtator dhe 29, 30, 1, 2 tetor; ora 20.00. Ndërsa “Çdo të hënë në 13.30” do të shfaqet në sallën “Bodrum” në datat 15, 16, 17,18 dhe 22, 23, 24, 25 shtator; ora 20.00.