E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshta vjen ndryshe në galeri “DidArt”

Tre piktorë të njohur të artit pamor shqiptar: Adrian Çene, Shkëlqim Kokonozi dhe Aleksandër Dragoti vijnë së bashku në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur nga data 14-30 shtator. Adrian Çene prezantohet para artdashësve me 4 piktura në gjininë e kompozimit, piktura të realizuara gjatë verës që po lëmë pas. Në qendër është figura e femrës, por e ndërthurur me peizazhin e bregdetit shqiptar. Ndërsa piktori Shkëlqim Kokonozi vjen me 5 peizazhe të abstraguara, veçori e përhershme në pikurat e tij, ku peizazhi shihet nga një këndvështrim i veçantë dhe po ashtu është dhe mesazhi që përcjell ai. Po me pesë peizazhe të abstraguara prezantohet dhe piktori tjetër Aleksandër Dragoti. Veçori e punëve të tij është përdorimi i ngjyrave të forta dhe ndërthurja e tyre. Punët e realizuara në vaj në kanavacë janë realizuar gjatë vitit 2011 dhe prezantohen për herë të parë për publikun. Të tre piktorët spikasin për veçoritë në artin e tyre, por në këtë ekspozitë veprat vijnë të kombinuara si një e vetme. Ajo që i bashkon punët është realizimi i arrirë artistik, moria e ngjyrave të përdorura dhe emocioni që përcjellin tek artdashësit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›