E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë komedie kjo tragjedi, me të qeshura e lot të hidhur

Fillimi i gjysmës së shekullit të XX, për shqiptarët vështirë të quhet ndryshe veçse hyrje në një periudhë ku edhe më pesimisti përpiqej të bindte veten se ishte optimist. Lufta e Dytë kishte përfunduar, shpresat patriotike ishin vrarë, përfaqësuesit e fundit të atij brezi rilindësish që kishte krijuar shtetin e parë shqiptar që prej kohëve që nuk mbaheshin mend, tani endeshin kampeve të Evropës, apo dergjeshin burgjeve duke pritur momentin e ekzekutimit.

Kurrë jeta nuk kishte qenë aq pakuptim, pa shpresë dhe e shpërdorur. E ardhmja që gjithmonë pritej të vinte, dukej e skaduar. Vendi i ngjante një trupi pa shpirt. Ideali i ri, Komunizmi, kishte marrë pamje të rëndë dhe për t’u dukur jo i frikshëm filloi të synonte të ardhmen ku vetëm sytë e rinj mund të shikonin; të vjetrit ishin lodhur, pasi e kishin ndjekur për shumë kohë, të zhgënjyer, tani ata talleshin. Kështu të rinjtë jetonin në të ardhmen, ashtu si të moshuarit në të kaluarën; por njerëzit, shumica, detyroheshin të jetonin në të tashmen, dhe e tashmja ishte ferr.

Sa mijëra besimtarë ideologjikë luftuan a dhanë jetën për këtë utopi? Sa vetë jetuan me shpresa se dritë prej saj do të rridhte? Sa prej tyre, nga bij të Revolucionit u kthyen në dhëndurë të “reaksionit”? Sa shkrimtarë, poetë, kompozitorë i grisën veprat e tyre? Dhe kur ideologjisë i erdhi fundi, të parët dolën ata që asgjë kishin mësuar dhe asgjë kishin harruar. Çfarë komedie kjo tragjedi, me të qeshura e lot të hidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›