Çifligarët e debateve televizive
Niqifor Doda/Qytetar
-Gjatë një fushate elektorale, televizioni shfaqet si media më e rëndësishme, me impakt të madh në të, si për zgjedhësit ashtu dhe për kandidatët. Veç kësaj, televizioni është media më efikase për të ndërtuar ose shkatërruar një kandidat. Gjatë një fushate elektorale mbulimi televiziv i një kandidati është në raport të zhdrejtë me avancimin dhe popullaritetin e tij ndaj të tjerëve: sa më i madh është ai, aq më pak televizori merret me kandidatin. Televizioni publik shqiptar dhe ai privat i kontrolluar nga Qeveria, misionin e tyre s’e kanë konceptuar asnjëherë si shërbim publik asnjanës politikisht, sensibilizim të elektoratit për të votuar pa presion partiak dhe në mënyrë të kulturuar. Ato asnjëherë nuk janë bërë transmetuesit dhe analizues të programeve politike. Kohët e fundit, pothuajse të gjitha kanalet televizive transmetojnë një emision mbi koalicionet dhe zgjedhjet me të njëjtët të ftuar të ashtuquajtur analistë, të cilët, duke qenë mbrojtësit dhe zëdhënësit me të flaktë partiakë përpiqen t’i mbushin mendjen popullit të lodhur e të sfilitur shqiptar, për mrekullinë shqiptare të arritur 8 vitet e fundit nën qeverisjen Berisha. Dhe kur në këto panele të stisura nga sahanlëpirës të Qeverisë, ndeshen me një mendim opozitar, e mbytin me vulgarizim dhe nivel mediokër komunikimi, pa asnjë mizurë etike. Lexuesi e kupton lehtë se kush janë këta syresh që kanë hyrë në listën e 100 figurave të shquara të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë nga Presidenti i Republikës. Trumbetojnë dhe idilizojnë tullumbacet elektorale të Kryeministrit, por nuk gjejnë fjalë të pyesin kandidatët e partisë së tij për ekskavatorin që hedh nga njëra anë e lumit në tjetrën me kovën e tij, nxënësit me çanta në kurriz për të shkuar në shkollat e Shqipërisë së mrekullive, etj.,etj.. Në një kohë që gazetarët dhe analistët duhet të adoptojnë dhe të aplikojnë kodet deontologjike, normat e etikës dhe të direktivave profesionale, që kërkon mbulimi asnjanës, i saktë dhe i drejtë, i partive politike dhe i kandidatëve të tyre, ata vazhdojnë të sillen para publikut televiziv si çifligarë mesjetarë.