E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çifti i Hapur” rrëmbeu publikun

Vetëm një muaj pasi që është dhënë premierë, shfaqja “Çifti i Hapur” i regjisores, Elmaze Nura, ka arritë të bëhet pjesë e edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtarë të teatrit, “Skampa”, në Elbasan, përkrah emrave më prestigjioz të regjisë dhe teatrit.

Shfaqja është një komedi e realizuar në teatrin “Istref Begolli”, në Pejë, në të cilën luajnë aktorët: Mentor Zymberaj, Teuta Sadiku, si dhe Edona Sopaj.

“Çifti i Hapur” është një komedi e mrekullueshme e fituesit të çmimit Nobel, Dario Fo, e cila ngrit çështjen e "martesave të hapura" apo "dashurive të lira", dhe është një rrëfim grotesk lidhur me martesat, ku pas një kohe, duke dashur që çiftet të jetojnë të lirë, e sjellin lidhjen e tyre deri në kolaps”, ka përshkruar shfaqjen, regjisorja Nura.

Duke folur për reagimin e publikut karshi shfaqjes, regjisorja tha se, komedia është vlerësuar pozitivisht si nga publiku ashtu edhe nga kritika e festivalit.

Sipas saj, shfaqja ka arritë te tërheq edhe vëmendje të madhe mediale.

Me të përfunduar shfaqja, Nura tregon se reagimet pozitive kanë ardhur menjëherë edhe nga artistë të huaj, e kjo gjë sipas saj, dëshmon që, shfaqja “Çifti i Hapur”, në sajë të interpretimit korrekt të aktorëve, e rrëmbeu publikun në sallën e teatrit “Skampa”.

Nuk është vetëm ky festival ndërkombëtar në të cilin Nura ka marrë pjesë kohëve të fundit. Gjatë muajit tetor, ajo ka qenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Komedisë në Kumanovë, ku është prezantuar me shfaqjen, “Lisistrata”, shfaqje e cila gjithashtu është pritur shumë pozitivisht nga publiku./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›