E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjithçka u akumulua për arsye të lidhura edhe me korrupsionin”

Nuk do t’i ndahemi Sali Berishës dhe qeverisë për kompensimin deri në qindarkën e fundit të të gjitha këtyre dëmeve që nuk janë shkaktuar nga zoti, po nga keqqeverisja. Kjo ishte deklarata e djeshme e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në qytetin e Shkodrës. Jemi absolutisht të bindur, tha ai, që ishte një katastrofë plotësisht e shmangshme dhe që të gjitha reshjet e prurjet e ujërave ishin plotësisht të kontrollueshme, brenda një kufiri të arsyeshëm, në rast se do të ishte vepruar konform të gjitha rregullave dhe procedurave ligjore që garantojnë menaxhimin e këtyre situatave.
“Kjo nuk ka ndodhur. Kemi të dhëna të mjaftueshme për të besuar që, fatkeqësisht, jo vetëm që ka qenë një fatkeqësi që mund të shmangej, një katastrofë që mund të shmangej, por që gjithçka është akumuluar për arsye, të cilat janë të lidhura edhe me korrupsionin”, theksoi Rama. Këto, shtoi ai, nuk janë sigurisht akuza që zbehin atë që sot mbetet më e rëndësishmja që jemi pranë njerëzve, të krijojmë një rrjet solidariteti njerëzor në të gjithë vendin, me të gjithë qytetarët e qytetarët e këtij vendi, që jetojnë këtu apo jashtë.
“Të gjitha degët e PS-së, në të gjithë vendin dhe në emigracion janë vënë në lëvizje për të rritur ndjeshmërinë dhe për të koordinuar të gjitha energjitë pozitive të solidaritetit duke dhënë orientimet dhe rrugën e duhur për të gjithë ata që sot u gjenden pranë këtyre mijëra familjeve që rrinë në qiell të hapur dhe që gjenden nën ujë dhe jo vetëm shpirtërisht, por edhe financiarisht”, theksoi Rama. Lideri i opozitës nënvizoi se është e domosdoshme nga ana tjetër të nënvizohet ama, që katastrofa, të cilën Sali Berisha thotë se duhet të jemi të lumtur që nuk është më e madhe, është aq e madhe sa ka këputur në mes me mijëra familje.
“Njëkohësisht, është aq e rëndë sa ç’është i rëndë fakti që kjo është një katastrofë që mund të shmangej. Prandaj domosdoshmërisht ne do të kërkojmë me këmbëngulje kompensimin e të gjithë të dëmtuarve deri në qindarkën e fundit nga pushteti përgjegjës që është qeveria e Sali Berishës”, u shpreh Rama. I pyetur në lidhje me deklaratat e Kryeministrit se opozita ka hapur panik në Shkodër, Rama tha se “unë nuk e di se sa herë duhet të përsërisim atë që besoj është e qartë për të gjithë që Shqipëria ka një Kryeministër që gënjen sikur këndon dhe për fat të keq çdo ditë hasemi me gënjeshtra pas gënjeshtrash”.
Nuk mund të merremi me përgënjeshtrimin e përditshëm të çdo gënjeshtre, vijoi ai, por për sa më takon dhe për sa na takon është e sigurt ne jo vetëm nuk kemi përhapur asnjë panik, por përkundrazi kemi bërë ç’është e mundur që paniku të mos përhapet. “Për këtë i kemi kërkuar publikisht dhe zyrtarisht vetë Sali Berishës që të  vetëpërmbahet kur flet për panik dhe kur flet për shpatën e Demokleut mbi kokën e gjithë zonës”, konstatoi Rama. Ai premtoi se do të kërkojë me këmbëngulje nxjerrjen e çdo përgjegjësie një për një, fije për fije.
“Dua ta përsëris edhe sot nga zona e rënduar thirrjen time për Prokuroren e Përgjithshme për të bërë detyrën konform Kushtetutës dhe ligjit dhe për të mos lejuar që provat të fshihen dhe manipulohen për ta nxjerrë pa lagur nga kjo përmbytje një qeveri që po mbyt demokracinë, po mbyt shtetin e së drejtës, po mbyt ekonominë dhe fatkeqësisht po mbyt fizikisht shtëpi, prona, pasuri”, u shpreh Rama.
Sigurisht, këmbënguli ai, nuk dua në asnjë mënyrë të mohoj sakrificën e asnjë ushtari të vetëm apo asnjë personi të vetëm që është këtu për të asistuar, falë edhe atyre që megjithëse krejt të çorganizuar dhe të paorientuar siç duhet të bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar njerëzit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›