Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit nis procedurat për fondin 700 milionë lekë
Ligji i votuar nga Kuvendi i Shqipërisë në ditën e fundit të punimeve në 2009-ën pret firmën e Presidentit për dekretim. Projekti i qeverisë, që synon shkrirjen e agjencive rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave, nuk ka hyrë ende në fuqi për zbatim dhe mund të zgjasë të paktën edhe për dy javë të tjera. Kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), Elvis çefa, thotë për “Shqip” se puna ka vijuar normalisht, pavarësisht se ligji i ri nuk ka hyrë ende në fuqi. “Kemi pasur një volum të madh pune, për shkak të çështjeve të ndryshme që lidhen me njohjen e pronës.
Siç e parashikon plani, po përgatitemi për ndarjen e fondit 700 milionë lekë, të parashikuar për 2010-ën, dhe që synojmë ta mbyllim shumë shpejt”, sqaron kreu i AKKP-së. Sipas tij, ligji i ri që zgjat afatin e shqyrtimit të dosjeve dhe shkrin agjencitë e rretheve do të krijojë një tjetër volum të madh pune, por që e gjitha do të kalojë përmes një procesi serioz transparent. Aktualisht të patrajtuara kanë mbetur rreth 8 mijë dosje, të cilat për arsye të ndryshme mbetën jashtë afatit të përcaktuar nga ligji, që ishte 30 qershori i vitit 2008. Pavarësisht kësaj, me vendim qeverie dhe tashmë me aprovimin e Kuvendit, shqyrtimi i dosjeve të mbetura pezull do të vijojë deri në vitin 2011, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë procesit. Pavarësisht kësaj, ekspertët e AKKP-së nuk përjashtojnë mundësinë e futjes në listë të dosjeve të krijuara pas qershorit 2008, gjithmonë nëse justifikimi është bindës.
Procedura e re
“Ligji i ri që pret dekretimin dhe më pas publikimin në Fletoren Zyrtare nuk ka sjellë ngërç për ne, pasi në dorë kemi dosjet që janë për miratimin e kompensimit financiar të këtij viti, pra çështje të renditura sipas kritereve të përcaktuara në ligj”, thotë çefa. Kreu i AKKP-së jep detaje të funksionimit të ligjit të ri. “Shkrirja e rajoneve dhe përqendrimi i punës në Tiranë do të kryhet brenda një afati ligjor prej 60 ditësh. Padyshim që do të krijohet fluks më i madh pune dhe për këtë parashikohen shtim stafi dhe ristrukturim zyrash e departamentesh”, tregon ai. Ligji në fjalë, për shkak të shkrirjes së zyrave rajonale, shkurton ankimimin administrativ të ankimimeve të të gjitha subjekteve, duke lënë si mundësi të vetme vetëm ankimimin gjyqësor, sikurse parashikon edhe shtyrjen e afatit për shqyrtimin e dosjeve. Mbyllja e agjencive nëpër rrethe është kundërshtuar me forcë nga shtresa e ish-pronarëve. Sipas tyre janë edhe 10 mijë dosje që kërkojnë shqyrtim dhe që rrezikohen të mos përfshihen në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës.
Buxheti
Sikurse është bërë në katër vitet e fundit, edhe në 2010-ën AKKP-ja parashikon të shpërndajë fondin e kompensimit monetar. Për këtë vit, qeveria ka akorduar një fond që shkon në 700 milionë lekë të reja, por që mund të rritet për shkak të realizimit të të ardhurave nga privatizimet, ku 10 për qind shkojnë për kompensim prone. Gjatë gjithë ekzistencës së saj, Agjencia e Pronave ka kompensuar rreth 560 vetë, me vlerë monetare prej 30 milionë dollarë. Ekspertët e pronave mendojnë se fatura totale për mbulimin e procesit të kompensimit mund të arrijë deri në 2 miliardë dollarë.