E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hero të Kosovës”, edhe 5 dëshmorë të Rahovecit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë Përkujtimore “Epopeja e Rahovecit”, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Rahovec, dorëzoi Urdhrin Hero i Kosovës për 5 dëshmorë të Rahovecit, përkatësisht për Mensur Zyberaj, Bedrush Gashi, Xhelal Hajda, Selajdin Mullaabazi dhe Sheh Myhedin ShehuKryeministri Thaçi, me këtë rast në Akademinë Përkujtimore Betejën e Rahovecit, e cilësoi si njërën prej epopeve më të ndritura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Si bashkëluftëtarë i juaji, më lejoni t'ju them se nga ajo ditë nga ai moment, kurrë në jetën time nuk më është larguar Rahoveci, qytetarët e Rahovecit, sakrifica juaj, beteja juaj, vetëmohimi juaj, shpirti juaj çlirimtar.

Gjithmonë në jetën time më ka përcjellë në mendje, shpirt dhe zemër ajo betejë, ajo sakrificë, ajo sakrificë e dëshmorëve të lirisë, e heronjve të Kosovës, këtyre bashkëluftëtarëve, dhe ju të gjithë pa dallim në qytet dhe fshat, ishit shndërruar në çlirimtarë.

U zhvilluan beteja të ashpra operative mes njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mes bijve dhe bijave tuaja më të mirë, mes juve dhe ushtrisë e policisë serbe. Ishin beteja të ashpra, me ditë të tëra, por mund t'ju them se beteja e Rahovecit, ishte fitorja më madhështore dhe më e fuqishme politike dhe ndërkombëtare deri në atë kohë për Kosovën”, theksoi Thaçi sot në Rahovec.

Në vazhdim Thaçi tha se jemi tubuar për t’i bërë nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale Epopesë së Rahovecit dhe personaliteteve që kontribuuan me sakrificën supreme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Viti 1998 ishte vit vendimtar, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur gjerësisht nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga bijtë dhe bijat më të mirë, të trojeve shqiptare dhe nga diaspora, kishte dalë hapur në skenë duke u bërë zëri kryesor i interesave dhe idealeve shekullore për liri.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës po forcohej në të gjitha frontet.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës po shtrihej territorialisht në tërë gjeografinë e Kosovës.

Sipas Thaçit, në analet e historisë moderne të Kosovës Beteja e Rahovecit e 17 korrik të vitit 1998 konsiderohet ndër ngjarjet më vendimtare për kalendarin luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e Rahovecit e zhvilluar prej 17 deri më 26 korrik 1998 është krenaria e Zonës Operative të Pashtrikut dhe krenaria e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shndërruar në Epope.

Beteja e Rahovecit është faqe ndritur e historisë sonë sepse në krye të saj qenë ushtarët e guximshëm, eprorët, drejtuesit, organizatorët dhe idealistët që me vendosmëri titanike ishin rreshtuar nga ana e lirisë së Kosovës.

Në Rahovec nuk luftuan vetëm rahovecasit, në Rahovec luftuan të gjithë për Rahovecin sepse, Beteja e Rahovecit ishte Beteja për Kosovën.

Në mesin e tyre ishin pesë personalitetet të cilat sot nderohen me titullin më të lartë për kontribut jetësor, Heronj të Kosovës.

Sot nderojmë me pietetin më të lartë atdhetarin dhe klerikun e pathyeshëm Sheh Myhedin Shehun, pjesëtarët, organizatorët dhe komandantët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Mensur Zyberaj, Xhelal Hajda, Selajdin Mullaabazi dhe Bedrush Gashi.

Pas përfundimit të akademisë përkujtimore, kryeministri Thaçi, vizitoi Teqen e Madhe, të qytetit të Rahovecit dhe familjen e Heroit Sheh Mihidini, ku u prit ngrohtësisht nga udhëheqësit fetarë, familjarë të Sheh Mihidinit, dhe qytetarë të shumtë rahovecian./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›