“Industria farmaceutike, presion ndaj shkencëtarëve dhe OKB-së”
Bashkimi Europian do të nisë hetimet ndaj fushatës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për gripin, në lidhje me akuzat e bëra ndaj saj për një ndikim që ka pasur nga kompanitë farmaceutike në shpalljen e H1N1 “pandemic”. Gjithashtu hetimi do të zhvillohet edhe në lidhje me promovimin e strategjive “ineficente” dhe ndoshta “të rrezikshme” të vaksinimit të popullsisë.
Sipas disa agjencive të lajmeve, rezoluta për ndërmarrjen urgjente të hetimit është miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE), si dhe nga Komiteti i Shëndetit. Në një pjesë të saj thuhet: “Në mënyrë që të promovonin patentat e ilaçeve të tyre dhe sidomos vaksinave kundër gripit, kompanitë farmaceutike kanë ndikuar shkencëtarët dhe agjencitë zyrtare përgjegjëse për standardet e shëndetit publik që të vinin në alarm qeveritë e mbarë botës për të marrë sasi të mëdha vaksinash dhe për të rrezikuar jetën e miliona njerëzve të shëndetshëm nga efektet e panjohura anësore të vaksinave ende të paprovuara mirë”.
Në rezolutë thuhet gjithashtu edhe se “fushata e “gripit të zogjve” e viteve 2005/2006 e kombinuar me fushatën për “gripin e derrit” duket se kanë shkaktuar një dëm jo vetëm për pacientët e vaksinuar dhe buxhetet e shëndetit publik të vendeve të ndryshme, por kanë dëmtuar edhe kredibilitetin e shumë agjencive të rëndësishme ndërkombëtare për shëndetin. Këshilli i Europës dhe vendet anëtare që e përbëjnë duhet të kërkojnë për hetime të menjëhershme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Përcaktimi i një pandemie nuk duhet të bëhet nën ndikimin e shitësve të ilaçeve”.
Në krye të kësaj kërkese për hetime ndodhet epidemiologjisti gjerman, dr. Wolfgang Wodarg, shefi i Komitetit të Shëndetit të PACE dhe mjek i specializuar në sëmundjet e mushkërive. “Viktimat, mes miliona njerëzve të vaksinuar pa shkak, duhet të mbrohen nga qeveritë e tyre dhe në lidhej me këtë çështje duhet që të ndërmerret sa më parë një sqarim shkencor për nxjerrjen e fakteve për gjykatat kombëtare, apo edhe ato ndërkombëtare”, ka deklaruar Wodarg në një deklaratë.
Ai e cilësoi “pandeminë e rreme” si një nga skandalet mjekësore më të mëdha të shekullit dhe tha se kompanitë farmaceutike kanë ndikuar gjithë procesin dhe për këtë duhet që të japin llogari. “Ato kanë qenë të gatshme që të dëmtojnë njerëz për hir të përfitimeve financiare”. Në fakt, që prej kohësh artikuj të ndryshëm në shtypin europian, duke filluar me Danimarkën, por edhe vende të tjera, kanë kërkuar vazhdimisht që të zbulohen lidhjet që ekzistojnë mes prodhuesve të vaksinave dhe vendimmarrësve në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Në fillim të vitit kjo organizatë e rishikoi termin “pandemic”, duke e ulur pragun e emergjencës. Sipas vlerësimeve të saj në fund të vitit 2009, 10000 persona kanë vdekur nga komplikacionet e lidhura me gripin e derrit. Po sipas organizatës, gripi i thjeshtë çdo vit merr jetën e 250000 deri 500000 personave. Lajme të ndryshme gjatë vitit të kaluar, që citonin OKB-në, kanë paralajmëruar miliona vdekje në botë nëse vende të ndryshme nuk do të vazhdonin me skemat e vaksinimeve të promovuara nga OBSH. Por që nga ajo kohë, sëmundja ka qenë pak a shumë e lehtë, pavarësisht fushatave frikëndjellëse të qeverive të ndryshme.
Fushata e gripit të derrave na kujton të gjithëve atë të gripit të shpendëve në vitin 2005. Në shtator të këtij viti, shefat e OKB-së vlerësuan se epidemia mund të shkaktonte vdekjen e 150 milionë vetave. Deri më sot, nga ky grip kanë vdekur vetëm 250 vetë. Propaganda e gripit të shpendëve pritet që të hetohet gjithashtu nga BE-ja. Sipas Wodarg, shumë politikanë të vendeve të ndryshme të botës u shtrënguan që të nënshkruanin për sjelljen e vaksinave të tjera dhe të merrnin gjithë përgjegjësinë për vaksinat.
“Këtë muaj ne do të organizojmë një debat emergjence në lidhje me ndikimin që ka pasur industria farmaceutike ndaj OBSH-së dhe 47 parlamentet në të gjithë Europën do të informohen në lidhje me këtë. Më pas do të nisim hetimet dhe dëgjimet e atyre që konsiderohen përgjegjës për emergjencën e pandemisë. Qëllimi është që të mos lejohen kurrë më ndikimet e kompanive farmaceutike ndaj vendimeve të rëndësishme të organizatave shëndetësore botërore”, ka deklaruar Wodarg.