E Diel, 1 Nëntor 2026

Në spitalin e mrekullive, ku kirurgu i shenjtë shpëton fëmijët e varfër

Spitali është disa kilometra larg qendrës së Bangalorit, përgjatë rrugës së famshme indiane “Silicon Valley”. Ndërtesa është moderne dhe shumë e madhe, madje edhe brenda saj hapësirat e pafundme janë përshtatur me ndihmën që u jepet pacientëve dhe një dekor që shpesh mohohet gjetiu.
Edhe pse pjesa më e madhe e personelit dhe e mjekëve janë indianë, struktura dedikuar qendrës “Narayana Hrudayalaya” pasqyron moton e Nënë Terezës, që gjithashtu është stampuar mbi muret e sallave moderne të kirurgjisë dhe nëpër zyra: “Dora që ndihmon është më e çmuar se ajo që lutet”. Jo rastësisht misioni dhe shpirti i spitalit më të madh indian privat, për sëmundjet e zemrës, ishte të operonte dhe të ndiqte për vite me radhë rregullat e murgeshës shqiptare. Devi Prasad Shetty, një talent i ri, u transferua në Kalkutë nga një spital londinez, kur pacientja e tij e famshme i tha se misioni i tij në botë ishte të shpëtonte fëmijët e sëmurë me zemër. Tani që ka mbushur 54 vjeç, është një prej specialistëve më të vlerësuar të vendit, por gjithashtu në mënyrën e tij, edhe një shenjtor. Shumë familje ruajnë fotografinë e tij në altarët e shtëpive, pasi ai i ka shpëtuar jetën një fëmije ose të rrituri. është një “shenjtor” shumë i dhënë pas punës dhe mban në këmbë një ndërtesë me 3000 shtretër.
Sekreti për të fituar para pa u rënë në qafë pacientëve të varfër është një sigurim special i krijuar personalisht nga doktori. “Para shtatë vitesh, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit më ftoi të sponsorizoja një pije të re të tyren me pak kolesterol. Pranova, por me një kusht, që anëtarët e saj, mbi një milionë e shtatëqind mijë vetë, të paguanin në vit një sasi të vogël të hollash, për të financuar një fond dedikuar vetëm ndërhyrjeve kirurgjikale. Kusht të cilin e pranova pa hezituar”, tregon Shetty. Kështu lindi “skema Yeshasvini”, që është përhapur te 3 milionë qytetarë. Këto të fundit dhurojnë 5 rupji, me të cilat mbulohen 1650 lloje operacionesh të ndryshme, përfshi këtu edhe 360 spitale në të gjithë Indinë. Pacientët i janë mirënjohës doktorit, sepse pa ndihmën e tij shumë prej tyre nuk do të kishin mbijetuar.
Tani Banka Botërore po përpiqet ta aplikojë këtë skemë në Afrikë, ndërkohë që në një pjesë të Indisë ndihmon 80 për qind të popullsisë rurale, aq sa ish-guvernatori dhe sponsori i sigurimeve për të varfrit u zgjodh sërish nga populli. Shembullin e kanë ndjekur Tamil Nadu, Nju Delhi, Rajastan dhe vende të tjera.
Gjatë vizitës në spital, Devi Shetty flet me një nënë e cila nuk pushon së qari, sepse nuk ka para ta operojë të birin 11-vjeçar. është një prej familjeve të shumta që ka nevojë për ndihmën e Yeshasvini-t. Për momentin nga siguracionet përfitojnë vetëm të pasurit dhe një operacion në zemër, jo shumë i vështirë, i kushton një pacienti 2000 dollarë. Kjo është një vlerë e ulët po ta krahasosh me një operacion të ngjashëm në Amerikë, i cili e kalon vlerën 100 mijë dollarë, ndërkohë që për Indinë është jashtëzakonisht i lartë. “Nga 2 milionë e gjysmë persona që bënë kërkesë vitin e kaluar, vetëm 90 mijë vetë u operuan”, shpjegon doktor Shetty. Në Narayana, ai dhe ekipi i tij kanë operuar deri tani 4000 fëmijë dhe ndërhyrjet kanë rezultuar të suksesshme në 90 për qind të rasteve. Nga ana statistikore, puna për 47 kirurgët e Bangalorit është më e larta se e çdo spitali tjetër në botë. Sipas “Wall Street Journal”, me 3174 ‘bypass’-e në vitin 2008, e ka dyfishuar rekordin e spitalit homolog amerikan “Cleveland Clinic”, pa llogaritur 2777 operacionet në zemër në repartet e pediatrisë.
Kur Devi Shetty deklaroi publikisht se nga 3 mijë ka ndërmend ta çojë në 30 mijë numrin e shtretërve edhe jashtë vendit, dikush filloi të tallej me punën e tij. Por specialistët ndërkombëtarë që kanë pasur akses në sallat e operimit, kanë vënë re përpikërinë dhe shpejtësinë me të cilët punohet në Narayana, falë praktikës së vazhdueshme.
Shetty nuk pranon lëvdata, pasi thotë se ka bërë vetëm detyrën. Ai shpjegon se mrekullia financiare dhe shëndetësore e Narayana është bërë vetëm falë kostos së ulët së fuqisë punëtore. Skenat që përsëriten çdo ditë para syve të tij nuk lënë dyshime mbi faktin se prindërit e fëmijëve të shëruar kanë mendim tjetër për qendrën spitalore. Rasti i fundit, babai i një foshnjeje të sëmurë me zemër, shprehet kështu për doktorin, i cili ka pranuar ta operojë falas: “Ky spital është një tempull, ndërsa mjekët janë zota”, thotë duke i puthur dorën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›