E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përmeti”, deputeti i djathtë grek në Parlament: Athina të ndikojë në BE

Edhe në Parlamentin grek është shtruar çështja e ngjarjeve në Përmet, pasi deputeti i partisë “Demokracia e Re”, Nikitas Kaklamanis i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos mbi veprimet që ka ndërmend të bëjë Athina zyrtare, lidhur me atë që e quajti “vandalizmin mbi Kishën e Përmetit”. 

Në fjalën e tij deputeti i djathtë është shprehur ndër të tjera se “ngjarjet që ndodhën në qytetin e Përmetit në Shqipëri kanë cënuar konceptin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar një ndjenjë shqetësimi për të gjithë grekët”. 

Ai ka përmendur veçanërisht, “përdhosjen e relikeve të shenjta, Ungjillit, Grailit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe njerëzit”. 

Duke vijuar deputeti i djathtë grek pyet: “Cfarë do të ndodhte nëse dikush do të kishte hedhur Kuranin në një kamion? Ndoshta do të digjej gjysma e planetit”, ka shtuar ai. 

Më pas Kaklamanis i drejton ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos këto pyetje:

*Përveç përgjigjes diplomatike rutinë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, cilat janë hapat shtesë që keni ndërmend të merrni? 

*A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por e fshehu vandalizmin dhe dhunën. 

Ky zhvillim ndodh paralelisht me pyetjen që eurodeputeti grek, Jorgos Kumutsakos ngriti në Komisionin Evropian, për çështjen në fjalë dhe me të njëjtën përmbajtje. 
(Balkanweb) Lidhje te tjera “Përmeti”, eurodeputeti grek ngre çështjen në KE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›