“Po mundohen të pasurohen në krahë të Pavarësisë”

Kanë nisur prej muajsh organizimet e ndryshme për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit Shqiptarë edhe në Kosovë. Një prej organizimeve më të mëdha të cilat janë përmendur prej kohësh është edhe ngjarja e titulluar “Rrënqethu shqip”.
Ky event është paraparë të mbahet sot në Stadiumin e Prishtinës, por njësoj sikur të gjitha organizimet e tjera të cilat bëhen në këtë vend, edhe ky i fundit nuk do të bëj dallim sa i përketë pagesës, ndonëse arsyeja e këtij organizimi është krejtësisht tjetër prej atyre të mëparshme.
Edhe tani kur këndohet e festohet për Pavarësi, organizatorët kanë bërë një rregull të hyrjes brenda nga të interesuarit për ta parë koncertin dhe ata duhet të paguajnë biletat të cilat sillen nga 5 euro deri në 35 euro.
Kjo gjë,përveç se ka irrituar disa qytetarë, ka revoltuar në mënyrë të veçant edhe këngëtarin Blero i cili ishte i paraparë nga organizatorët të performonte në këtë mbrëmje.
Por ai përmes lajmërimit në rrjetet sociale tregoi se nuk do të jetë pjesë e kësaj ngjarje pasi që ka vërejtur mashtrim nga ana e organizatorëve.
I kontaktuar menjëherë nga indeksonline rreth këtij mashtrimi që përmendi ai, Blero tregon se fillimisht nuk i ishte përmendur që do të paguajnë qytetarët për ta parë koncertin.
“Sepse ata nuk kanë qenë të qartë nga fillimi, unë kam mendu se është e hapur për të gjithë pa bileta, ju kam thënë po për ta festuar 100 vjetorin bashkë me fansat dhe qytetarët, po masandej e kuptova se është me pagesë ku fillon nga 5 euro deri në 35 euro bileta! Mundohen ta shfrytzojnë festën e 100 vjetorit dhe këngtarët që të pasurohen”, tha Blero.
Më tej ai tregon se ka qenë i gatshëm të këndonte pa kërkuar pagesë për nderë të kësaj dite por kjo ka ndryshuar në momentin kur ka kuptuar përmes reklamave se do të duhet të paguajnë ata që dëshirojnë të futen në stadium.
“Momentin që ata nuk tregojnë nga fillimi kur thërrasin për koncert dhe unë e marr vesh masi që del reklama ajo është mashtrim”, thotë Blero për indeksonline.
Sidoqoftë mbrëmja do të mbahet sot dhe aty janë paralajmëruar emra të mëdhenj të skenës muzikore shqiptare për të marrë pjesë siç është, Alban Skenderaj, Miriam Cani, Kaltrina Selimi, Leonora Jakupi, Tuna, Dafina Zeqiri etj /M.RR/Indeksonline/