E Diel, 1 Nëntor 2026

“Stafeta”, arrestohen 2 persona për trafikim të qenieve njerëzore

TIRANE - Policia e Shtetit përfundoi me sukses operacionin “Stafeta”, duke arrestuar dy persona, të cilët u kapën në flagrancë në afërsi të kufirit me Malin e Zi, në fshatin Gril, të rrethit Malësi e Madhe, teksa po tentonin të kalonin ilegalisht në drejtim të Malit të Zi 6 shtetas marokenë.

Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit, Fatmir Maxhun Cahani, 44 vjeç, dhe 25-vjeçari Bashkim Hamit Brahimi, të dy banues në Tiranë.

“Operacioni, që bëri të mundur arrestimin e këtyre dy shtetasve, u zhvillua pas grumbullimit të informacioneve nga strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të punës për parandalimin e goditjen e kontrabandimit të migrantëve nga vendet e treta për në shtetet e Europës Perëndimore. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e luftës kundër trafiqeve organizuan punën për kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve.”- njoftoi Policia e Shtetit.

Ndërkohë strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë punën për dokumentimin e autorëve të tjerë, bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

(er.nu/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Tiranë, shkatërrohet grupi i grabitësve të makinave, 2 në pranga, 1 në kërkim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›