E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, shqiptarë dhe francezë ekspozitë me “Ngjyrat e pranverës 2012”

DURRËS- "Ngjyrat e pranverës" është titulluar ekspozita e parë e një grupi piktorësh shqiptarë dhe francezë, të cilët i kanë dhënë jetë në Durrës edicionit të parë të ciklit të përvitshëm “Udhëtim përmes artit”.

Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës, e hapur në mjediset e galerisë publike të arteve “Nikolet Vasia”, morën pjesë mjaft artdashës, kolegë artistë, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Francës në Tiranë.

Besim Petrela, president i fondacionit “Syri blu”, në përshëndetjen e tij vlerësoi jo vetëm bashkëpunimin e institucioneve që mundësuan hapjen e ekspozitës, por mbi të gjitha punën e përbashkët të piktorëve pjesëmarrës. Aymard Le Forestier de Quillien, Besim Tula, Beatriçe Richard-De Saint Jean, Ledia Kostandini dhe Stefan Taçi, të cilët kanë paraqitur disa nga punimet e viteve të fundit.

Në ekspozitë dallohen individualitetet artistike të autorëve pjesëmarrës, si dhe përvojat e mëparshme në fushën e pikturës. Autorja Beatrice Richard-De Saint Jean ka përzgjedhur temën e “Brezave dhe dridhjeve”, një temë të cilën ajo e eksploron prej vitesh. Ngjyra, materiali dhe forma dallojnë veprat e ekspozuara nga Aymard Le Forestier de Quillien.
Piktori Besim Tula ka përzgjedhur punimet që sjellin çështjet e ditës, të cilat autori i qëmton nga të gjitha burimet e mundshme. Mikrouniverset e Ledia Kostandinit dallojnë për vetminë që i karakterizon, një hapësirë e pafundme, e mbushur me komoditet dhe sinqeritet. Stefan Taçi është paraqitur me një grup punimesh nga cikli “Bisedë me tingujt e Mesdheut”.

Pesë artistë, pesë tendenca, pesë miqësi franko-shqiptare, siç ka qenë edhe qëllimi i ekspozitave që do të shëtisin edhe në disa qytete të tjera të vendit. Edicioni i parë i “Njyrat e pranverës"këtë vit përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›