“Termokos” dërgon fatura, por jo ngrohje

Ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë edhe më tutje nuk po arrin të ofrojë shërbime për qytetarët e Prishtinës. Në anën tjetër, kjo ndërmarrje komunale po u dërgon faturat, në disa raste të fryra, klientëve nëpër banesat e tyre për çdo muaj.
Qytetarët e kryeqytetit, e të cilët jetojnë nëpër banesa, ankohen për furnizim të dobët me ngrohje qendrore, ku ata i detyron të përdorin alternativa tjera ngrohëse.
Dardan Morina, banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë, thotë se asnjëherë nuk kanë qenë të kënaqur me furnizim me ngrohje nga ndërmarrja “Termokos”.
“Ne asnjëherë nuk llogarisim në ngrohjen e ‘Termokosit’, duke e marrë parasysh se gjithmonë përballemi me probleme të tilla. Neve si qytetarë nuk na intereson se si e sigurojnë ata mazutin, apo kanë probleme të tjera, ata duhet t’i kryejnë obligimet ndaj nesh, derisa ne i kryejmë obligimet ndaj tyre”, ka thënë i shqetësuar ai, shkruan "Zëri".
Morina thotë se orari i furnizimit me ngrohje është dy orë në mëngjes, e dy në mbrëmje, ndërkaq gjatë gjithë kohës tjetër ai thotë se duhet të përdorë ngrohëse me rrymë për ta ngrohur banesën e tij.
“Dy orë në mëngjes dhe dy orë në mbrëmje ngrohja është sa për të thënë se po na furnizojnë me ngrohje. Ne po detyrohemi të përdorim alternativa tjera të ngrohjes siç është rryma e që është shumë e kushtueshme”, ka shtuar ai. /Indeksonline/.