“Vera” godet grupin kriminal të narkotikëve

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka realizuar operacionin e koduar “Vera” me ç’rast ka konfiskuar 4 kg 621g substancë narkotike të llojit Heroinë, 68. 8g kokainë dhe janë arrestuar pesë persona.
Sipas Policisë, këtij operacioni i ka paraprirë një periudhë hetimore rreth tre muaj, operacion ky i realizuar me 5.9.2013 në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) e Policisë së Kosovës, e cila rezultoi me konfiskimin e 4 kg 621g substancë narkotike të llojit Heroinë, 68. 8g Kokainë dhe janë arrestuar pesë persona..
“Hetuesit policorë fillimisht kanë ndaluar një veturë me targa vendore dhe gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur gjashtë (8) qese të mbushura me substancë narkotike e dyshuar të jetë e llojit Heroinë me peshë 4 kg e 621 g”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një konferencë për media.
Megjithëkëtë, sipas organeve të rendit, operacioni nuk është ndaluar me kaq, ka vazhduar në një lagje të Prishtinës, ku janë ndaluar edhe dy vetura tjera me targa vendore nën dyshimin e bazuar se të njëjtat janë duke bërë transportin e substancës narkotike dhe me këtë rast janë arrestuar dy persona, respektivisht vozitësit e veturave.
“Operacioni policor ka vazhduar me kontrollin e një lokacioni tjetër në Prishtinë, me ç’rast janë gjetur edhe 68.8 g e dyshuar të jetë e llojit Kokainë”. /Indeksonline/