E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmendet Bundesliga! 13 milionë tifozë në tribuna

Shikueshmëria në Bundesligë, për herë të parë në historinë 48-vjeçare të kësaj lige, do të tejkalojë numrin prej 13 milionë shikuesish në tribuna. Deri më tani, në 18 stadiume gjatë 33 javëve të këtij edicioni ishin 12 622 546 tifozë, e kur merret për bazë se janë shitur të gjitha biletat edhe për ndeshjet e javës së fundit të kampionatit, atëherë do të tejkalohet 13-milionëshi. Rekordi aktual është 12 990 967 tifozë, që është rekord i vënë sezonin e shkuar. Në edicionin e shkuar mesatarisht ishin 42 454 tifozë për ndeshje në çdo stadium. Këtë edicion mesatarja për ndeshje pritet të rritet në 42 655 tifozë. Numrat zyrtarë të shikueshmërisë të këtij edicioni në Bundesligë do të zbulohen pas dy javëve, kur secila skuadër të konfirmojë pjesëmarrjen e saktë të tifozëve në stadium, në javën e fundit.

Skuadra më e shikuar në Bundesligë mbetet Borusia Dortmundi, që edhe e siguroi titullin e kampionit para një jave. Për çdo ndeshje të zhvilluar në stadiumin e vet "Signal Iduna Park" i ka pasur të shitura gati të gjitha biletat. Stadiumi i Borussia Dortmundit ka një kapacitet prej 80 720 ulësesh, kurse këtë edicion është vizituar mesatarisht nga 79 150 tifozë për çdo ndeshje. Vendin e dytë për shikueshmëri në këtë edicion e zë skuadra e Bayern Munchenit. Bavarezët janë përcjellë nga 69 mijë tifozë në ndeshje, kurse pas tyre vjen skuadra e Schalkes me 61 320 vizitorë për ndeshje të zhvilluara si vendas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›