Blank shpëton, hetimet e nxjerrin të pafajshëm
Laurent Blank, selektor i përfaqësueses së Francës, dhe Fransua Blakar, drejtor teknik i Francës, mund të marrin frymë më lirshëm. Raportet që sjell Komisioni i Hetimeve rreth skandalit në lidhje me diskriminim dhe racizmin e kanë shpëtuar dyshen e lartpërmendur. Ky komision deklaratat e dy të lartpërmendurve i konsideron të diskutueshme dhe diskriminuese, por jo raciste. Në fakt, Blank dhe Blakar kishin propozuar që ta kufizonin prezencën e futbollistëve me nënshtetësi të dyfishtë në kombëtaren franceze. Ky propozim është konsideruar vetëm thjesht një shprehje e mendimit nga ana e tyre, asgjë më shumë. Prandaj Komisioni i Hetimeve nuk ka marrë ndonjë vendim për t’i dënuar këta dy përfaqësues të kombëtares. “Nuk ka prova se ka pasur politikë të racizmit. Nga 16-17 persona të Komitetit Teknik të Federatës, vetëm 2 prej tyre e kanë shprehur këtë mendim, prandaj ky nuk është një qëndrim i shumicës”, ka thënë anëtari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Patrik Broezek. “Laurent Blank, të cilin e kemi dëgjuar dje, ka konfirmuar se është mjaft i zemëruar me veten, pasi ka thënë gjëra të tilla. Ai e ka ndërruar mendimin”, vazhdoi Broezek. Trajneri francez është liruar nga çdo akuzë e racizmit. Ai është pajtuar edhe me dy ish-shokët e kombëtares, Turam e Vieira, që e kishin kritikuar ashpër për qëndrimin e tij rreth futbollistëve me ngjyrë dhe atyre arabë. “Asnjë fakt nuk mund të arsyetojë se Laurent Blank është dakord me çfarëdo lloj tipi të diskriminimit. Në të kundërtën, ai dëshiron t’i promovojë vlerat e sportit dhe të respektit në futboll. Dëshiroj t’jua kujtoj juve se çka ka thënë ai: Nëse ke vetëm djelmosha të zinj në shkolla të futbollit dhe nëse ata dëshirojnë të luajnë për Francën, gjithçka është në rregull për mua”, deklaroi ministrja e Sportit e Francës, Shantal Zhuano, e cili citoi disa fjalë të selektorit Blanc. Disa skuadra franceze ishin të interesuara për Blank kur të mbaronte eksperiencën me përfaqësuesen. Por, ato kanë hequr dorë, pasi frikësohen se ai do t’i diskriminonte lojtarët arabë dhe ata me ngjyrë, që janë të shumtë në kampionatin francez.