mendet bursa e Londres

Për herë të parë që prej tetorit të vitit 2008, nafta BRENT në bursën e Londrës ka kapërcyer nivelin e 100 dollarëve për fuçi.
Disi më qetë paraqitet situata në bursat amerikane, por që gjithsesi mbeten me ankth dhe sy drejt botës arabe, e cila po përfshihet në protesta të shumta.
Në bursën e Nju Jorkut, nafta ka prekur nivelin maksimal të dy viteve të fundit, me 92.19 dollarë për fuçi, me rritje 2.85 dollarë, por duke qëndruar poshtë çmimit që ofron bursa e Londrës.
Edhe pse Egjipti nuk është eksportuesi kryesor i naftës në botë, fakti që kontrollon Kanalin e Suezit, përmes të cilit kalojnë çdo ditë 2.5 milionë fuçi, ka dhënë ndikim kryesor në tregjet europiane që presin furnizimet.
Sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Abdullah al-Badri, tha se vendet e kartelit do rrisin prodhimin nëse ngjarjet e Egjiptit do ndikojnë në furnizimin e vendeve konsumatore, por shtoi se nuk priste që trazirat politike të prekin nivelin e punës së tubacioneve të naftës në ngushticën mes detit të Arabisë dhe atij Mesdhe.
Kurse tregtarët në Nju Jork, Mercantile Exchange, NYMEX, vendi më i madh në botë i shkëmbimit të lëndëve të para, thonë se rritja e çmimit të naftës është një reagim fillestar ndaj ngjarjeve politike në rajonin e Lindjes së Mesme.
"Mendoj se është një reagim i momentit, por besoj se të gjithë tregtarët duan të shikojnë se çfarë ndikimi do kenë ngjarjet e ndryshimit të regjimit politik në Egjipt në të gjithë balancën e pushtetit në Lindjen e Mesme”, - thotë Tim Jennings, president i ‘Vantage Trading’, në NYMEX.