E Diel, 1 Nëntor 2026

Ëndrrat që bëhen realitetNga Leart Kola Është tragjikisht e rëndësishme, siç historia na ka mësuar që të kihet kujdes kur ëndërron, sepse ka shumë mundësi që të kthehen në realitet. Edhe pse në pamje të parë kontradiktore, realizmi i ëndrrave shpesh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ëndrrat që bëhen realitetNga Leart Kola

Është tragjikisht e rëndësishme, siç historia na ka mësuar që të kihet kujdes kur ëndërron, sepse ka shumë mundësi që të kthehen në realitet. Edhe pse në pamje të parë kontradiktore, realizmi i ëndrrave shpesh here ka rezultuar me tragjik se zhgënjimi për mosrealizmin e tyre. Ashtu sikurse po ndodh sot në fillim 2010, me Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm brenda kufijve administrative por në të gjithë hapësirën e saj.

Sot dëgjohen ngado ankesa për sistemin, politikën, pasurimin e shpejtë të disave, korrupsionin dhe gjithë këto fenomene që po diskutoheshin në fillim viteve ‘90, do dukeshin thuajse të bukura në gojën tonë, madje do t’i ngjanin mendimeve përparimtare, sepse është një retorikë e krijuar dhe e përdorur sigurisht vetëm nga vendet kapitaliste, si e tillë shndriste në mes të fjalëve gri komuniste, si prona e përbashkët, arsimimi për të gjithë, këto fjalë démodé (që mezi pritej të harroheshin) dhe ja ku u ndërruan, duke na e realizuar ëndrrën. Sot këto fjalë nuk i dëgjon më askund, as në gojën e qytetarëve e aq më pak në atë të politikanëve.

Nuk mund të mos e pranojmë të gjithë që në aspektin ekonomik, në Shqipëri gjithçka po shkon sipas ëndrrës tonë të vitit ‘90. Kur flitej për kapitalizmin ekstrem, terapinë e shokut, shkatërrimin e çdo fabrike dhe uzine, si shfaqje e turpshme politike autoritare mes ëndrrës kapitaliste, madje u hodh dhe çeku i bardhë në lojë, si ekstremi i antikomunizmit dhe i një liberalizmi ekstrem, duke synuar politika ekonomike gati fashiste.

Sot pas 20 vjetësh është vështirë të gjesh një dëshmi të një uzinë apo fabrike prodhuese, ato që kanë qenë janë privatizuar me kushte qesharake nga njerez të afërm të “demokracisë”, të cilët nuk i përdorin për prodhim por më shumë si magazinim. Duke e trasformuar ekonominë në një shprehje të qartë të tranzicionit, “ekonomia e magazinave” dhe e konsumatorëve par exellance, të cilët paranë nuk e fitojnë si një proçess logjik pas prodhim-fitimit, por i “bëjnë”. Gjithashtu ekonomia dhe sistemi i taksave sot është praktikisht ai që atëherë ëndërronim, neo-liberal, me taksa të sheshtë e cila e superfavorizon shtresëzimin e shoqërisë, krijimin e shpejtë të një klase të vogël të të pasurve dhe një klase masive të të varfërve.

Po le të dalë ndokush sot e të thotë që nuk ishte kjo që ëndërruam, ndërkohë që lëngëzonim me Beautiful-in dhe Santa Barbara-n, që na godiste pingul në mendjet tona e na shkonte deri në stomak, kur shihnim këta super të pasur që ushqeheshin mirë. Madje dhe shërbëtorët na kënaqnin, më në fund imazhi i një vendi ku të gjithë nuk hanë e vishen njësoj por ka shfrytëzues dhe të shfrytëzuar. Ripetitorët televizivë të kapitalizmit ishin më të fortë se TVSH, e cila për hir të së vërtetës është i vetmi institucion konsistent, që nga krijimi i saj e deri më tani. Dhe ja ku e kemi sot shtresëzimin, sot kemi mes nesh njerëz që janë ndoshta shumë herë më të pasur se heronjtë tanë të telenovelave në fillim të ‘90, madje dhe të varfrit po kapin rekordet e tyre të varfërisë, a nuk është kjo një ëndërr që mund të konsiderohet e realizuar pas 20 vjetësh sistemi kapitalist?

Fshatarët tanë, urrenin kooperativën dhe në ’90 donin që të merrnin tokën e tyre, të kishin kafshët e tyre dhe jo një sistem represiv që i dhunonte vazhdimisht. Sot pas 20 vjetësh Berisha me shokë ia plotesoi këtë kërkesë anti-kooperativiste dhe u ndau parcelat. Problemi qëndron që parcelat janë aq të vogla sa në sistemin kapitalist ku jetojmë është e pamundur që të jenë të punueshme, dhe kanë mbetur shterpë duke e varfëruar de facto më shumë fshatarin e sotëm dhe duke i krijuar kushte të pamundura jetese në fshat. Për këtë arsye pas ‘95 u krijuan tmerret e periferive në qytetet e mëdha si Tirana me Bathoren, Durrësi me Këneten e me radhë gjithë të tjerat. Ish hapësira bujqësore të cilat (meqë bujqësia është komuniste) u kthyen në zona banimi, pa kushtin më të vogël jetësor. Por a nuk ish pikërisht kjo që kërkuam, iniciativë private të fshatarit, liri absolute në vendimarrje dhe anti kooperativizëm? A nuk është vallë kjo e kundërta e sistemit të kaluar, ëndrra kapitaliste për fshatin tonë? E më në fund, a nuk ishte kjo arsyeja pse e hodhi fshatari shqiptar sistemin në ‘90? Anipse sot kemi 60% të varfër në fshat, që më shumë se fshat sot është një territor i mbyllur indigjenësh pa asnjë sens ekonomik e aq më pak kulturor.

Urbanistika sociale deri atëherë e përdorur nga regjimi për të garantuar barazinë e shtetasve të vet u përdhos me neveri nga çdokush, duke e konsideruar perverse (e sigurisht që ëndrra ishte që gjithescili të qe i lirë të jetonte ku të donte pa pyetur për pronën publike, a mos vallë nuk e kemi bërë? Sot të gjithë jetojnë sipas mundësive e ku të munden, disa në mes të Tiranës me apartamente 200 m. katror, disa në 30 m. me pesë pjesëtarë në familje, dikush në një zonë rezidenciale, e dikush tjetër në një bathore apo kënetë ku s’ka as rrugë as spitale as shkolla por vetem sëmundje kudo që ecën. Kështu janë vendet kapitaliste, me të pasur e të varfër, dhe ne këtë ëndërronim dhe këtë gjetëm, e për pasojë këtë kemi pas 20 vjetësh “demokraci”.

Librat i dogjëm, i hodhëm, i pështymë e më pas mblodhëm me to qoftet që shiteshin buzë rrugës. Libri u konsiderua forma më perverse e sistemit për të na izoluar me autorë si Dostojevski, Balzak, etj. A nuk është gjendja e librave sot një ëndërr e realizuar? Shumica e librave janë banalë dhe askush më nuk lexon libra? Edhe ato pak libra që shiten janë me histori konspiracionesh, ose policeskë, ose romanca të shpifura dashurish të ca dementëve që nuk e kanë ndarë akoma mendjen në çfarë shekulli duan të jetojnë, por ky qenka banaliteti kulturor që kerkuam. Sot pjesët e teatrove i kemi moderne, opera nuk para bëjmë, por ama prodhojmë Big Brother dhe Miss, e me këto kemi thënë gjithçka që përbën rritje shpirtërore nëpërmjet kultures që prodhojmë si komb. Se në fund ne ishim kuriozë të shihnim, përgjithësisht të shihnim femra të bukura, sa i përket librave ato mund të flenë të qetë nëpër shtypshkronja pasi askush nuk do t’i shfletojë ata armiq të lirisë, prodhues të komunizmit më të egër ballkanik.

Por kërkesa më perverse që përditë e më shumë po realizohet është dëshira për të qenë të pushtuar nga ndonjë shtet Europian, (ah sikur të ishim skllevër të ndonjë Gjermanie a Italie), se kështu flitej në ‘90, atëherë kur na vinte zor të thoshim që jemi shqiptarë nëpër aeroporte dhe stacione trenash europianë. E ku mund ta shohim këtë fakt në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë sa tek gjyqi i Albin Kurtit? Ku i vetmi zë i qartë opozitar i promovimit të së drejtës së vetëvendosjes dhe i luftës për të drejtat e komuniteteve në të gjithë hapësirën shqiptare do të arrestohet për t’u gjykuar nga gjykatës ndërkombëtarë? Për të mos folur për fjalën e fundit që e kanë gjithnjë institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga FMN, Banka Botërore, OSBE, KE etj. A është kjo një realizim i ëndrrës sonë më të ethshme të pas ‘90?

Pyetja që vjen pas gjithë këtyre shembujve të sipërpermendur është a po thërret dikush Hosanna pas 20 vjetësh? A po gëzohet ndokush me mend në kokë në Shqiperi, a mendon ndokush me mend në kokë sot në Shqipëri që ne jemi bërë si gjithë Europa? E pra ëndrrat tona në pjesen më të madhe janë plotësuar. “T’u plotësofshin ëndrrat!” në Shqipëri më shumë se sa si urim mundet fare mirë të merret si një mallkim duke parë ç’kemi katranosur, për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm kur ëndërrojmë, sepse me ç’po shohim mund të realizohen.

Sigurisht kjo nuk do të thotë që artikullshkruesi dënon të sotmen duke justifikuar totalitarizmin enverist të së djeshmes, përkundrazi unë mendoj që një sistem si ai që kishim nuk duhet ta ndërtojmë më kurrë, se ishte një sistem ku suksesi ishte prapë individual dhe i lidhur ngushtë me pozicionin e individit në shkallët e pushtetit. Një komunizëm enverist që më shumë se anti-kapitalist ishte anti-komunist. Por kurrsesi e kaluara jonë nuk duhet të jetë justifikim për mizerjen e sotme dhe pengimin e krijimit të një ëndërrimi kolektiv mbi si e duam të ardhmen.

Unë mendoj që sinjalet e alarmit duhet të hidhen jo duke parë të ardhmen si një pamundësi që pengohet nga korrupsioni i Elitave, por si një mundësi që duhet të fillojë duke ndërtuar një ëndërr substanciale dhe të shëndetshme sot. Është gjëja më e thjeshtë të bësh atë që analistët e sotëm bëjnë, duke promovuar disfatizmin në vend të optimizmit dhe duke ia transferuar të gjithë fajet e veta klasës politike, duke harruar që ajo klasë politike, po të bëjmë një analizë të thellë të situates del që në të vërtetë thjesht ka përfaqësuar ëndrrat tona në nivel politik.

Pra faji qëndron tek ajo që bashkarisht kemi parë si forma më e mirë e të ardhmes. Ndërkaq nëpërmjet këtij disfatizmi dhe individualizmi të promovuar në ekrane apo në shtypin e shkruar i jepet frymëmarrje korrupsionit jo vetëm monetar, por edhe shpirtëror, duke propozuar si të vetmen shpresë suksesin individual në kundërshtim të atij komunitar.

E vetmja mundësi që të çlirohemi nga ky ankth i terrorit të përditshmërisë është pikërisht krijimi i asaj ëndrrë që bazohet tek puna, si nocion që lidhet drejtperdrejt me shoqërinë prodhuese dhe jo vetëm konsumatore, duhet ndërtuar mbi solidaritetin njerëzor në mënyrë që suksesin ta shohim si klasor dhe komunitar, në kundërshtim me idenë korruptive të suksesit individual. E ardhmja jonë duhet domosdoshmërisht të bazohet mbi kulturën si e vetmja garanci shpirtërore që bën të mundshme punën dhe solidaritetin. E ardhmja ndodh gjithmonë sot, dhe ëndrrat bëhen gjithmonë realitet, mjafton që të ëndërrojmë atë që duhet dhe të punojmë për të, në formë solidarë me njëri-tjetrin për të ndërtuar çdo ditë një vend që progresin nuk e sheh të reflektuar nën super egon e herojve televizive, por në brendësinë e mirëqenies se familjes, lagjes dhe qytetit ku jeton. Progresi është përbrendësimi i dëshirës për të çuar përpara ëndrrën tonë të përbashkët të një Shqipërie, shqiptare dhe të zhvilluar. Ta bëjmë Shqipërinë ashtu si do të donin të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›