Çoi gruan në vetëvrasje/ Arrestohet burri që tradhtonte të shoqen me të fejuarën e vëllait të saj
Më 31 gusht, Hamide Biçaku humbi jetën si pasojë e konsumimit të një sasie të konsiderueshme fotoksine.
Pas 10 ditësh, prokuroria e rrethit gjyqësor të Kavajës akuzon bashkëshortin e saj si personin që ka detyruar 20- vjeçaren ti japë fund jetës.
Me gjithë përpjekjet e mjekëve, nëna e një vajze dyvjeçare, humbi jetën në spital, ndërsa familjarët e saj akuzuan se ka qenë bashkëshorti i saj ai që ka detyruar gruan e re të vetëvritej.
10 ditë pas kësaj ngjarje, prokuroria e Kavajës ka vërtetuar akuzën e familjarëve të gruas së re.
Sipas hetimeve, ka rezultuar se gruaja e re është keqtrajtuar për shkak të marrëdhënieve të acaruara me bashkëshortin e saj, G. Lika, me të cilin jetonte prej tre vitesh.
Nga ana e policisë gjyqësore është bërë këqyrja e jashtme e trupit të viktimës dhe ka rezultuar se ka dëmtime në pjesën e buzës, në afërsi të brinjës në anën e majtë dhe në një të tretën e poshtme të kofshës së djathtë.
Nisur nga kallëzimet e bëra dhe nga ekspertiza mjekoligjore, grupi hetimor ka dalë në konkluzionin se bashkëshorti i 20- vjeçares e ka detyruar atë të vetëvritej.
Policia ka arrestuar më pas shtetasin G. Lika, duke e akuzuar për shkaktim të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në 31.08.2013 në fshatin Kryeluz, Kavajë.
Ndërkohë ka qenë vëllai i viktimës ai që ka denoncuar fillimisht faktet mbi implikimin e kunatit të tij në vetëvrasjen e gruas së re.
Sipas Artan Biçakut, konfliktet mes Hamidesë dhe bashkëshortit të saj janë përkeqësuar pas marrëdhënieve që ai kishte me të fejuarën e tij.
E fejuara ime kishte një lidhje prej një viti, me burrin e time motre, G. Likën. Kur i kapa vetë mat në një hotel, e ndava të fejuarën. Motra e mori vesh nga njerëz të tjerë. Hamideja u nda për disa javë nga bashkëshorti. Erdhi në Librazhd, ndërsa vajzën e mbajti familja e burrit. Por erdhi i shoqi dhe iu lut që të kthehej se e kërkonte edhe vajza e vogël. U kthye sërish tek familja e burrit. Nga ajo çfarë kam marrë vesh, ajo është keqtrajtuar atje, e kanë lënë të flejë edhe në kasollen e bagëtive, deri sa u detyrua të vetëvritej, mësohet të ketë deklaruar Artan Biçaku./l.ç